SPORT, 24 Tetor 2023, 14:43

Dikur në fëmijëri bënte tifo për Milanin, tani Mbappe sfidon kuqezinjtë në fushën e lojës

Dikur në fëmijëri bënte tifo për Milanin, tani Mbappe

Nuk është mister që Kylian Mbappe mbështeti Milan si fëmijë. Në të vërtetë ai ishte një fans mjaft i pasionuar pas kuqezinjve. Këtë e tregon nëna e yllit të PSG, Fayza Lamari, e cila shpjegon për “Gazzetta dello Sport”:

“Kylian dëshironte të linte përshtypje të mira, përndryshe do tallej nga miqtë tanë. Ai ishte djali i prindërve sportistë, ndaj konsiderohej në qendër të vëmendjes”.

Nëna e ish-fenomenit të Monaco tregon edhe disa anekdota: “Kur vinte në shtëpi fliste vetëm për Milanin. Nëse Milani humbiste, ai mund ta përplaste telekomandën e televizorit dhe të thoshte disa sharje në italisht. Megjithatë, në ‘Play Station’ zgjidhte gjithmonë Real Madridin.

Fanellën e Robinhos e vishte për stërvitje, madje e mbante edhe në shtrat. Ka pasur në fëmijëri fanella të Manchester United, Francës, PSG, Real Madridit. Ai i donte sulmuesit e mëdhenj, por mund të vishte edhe fanellën e Frei nga Rennes. Nëse do na kishin thënë 15 vite më parë, nuk do ta kishim besuar kurrë se ai do të ishte protagonist i PSG-Milan”.