SPORT, 12 Janar 2023, 23:36

Dibala bën heroin, Roma kualifikohet në çerekfinalen e Kupës së Italisë

Dibala bën heroin, Roma kualifikohet në çerekfinalen e

Roma ka bërë detyrën në Kupën e Italisë, duke mposhtur me rezultatin 1-0, Xhenoan e Xhilardinos që militon në Serinë B. Goli mjaft i bukur i Paolo Dibalës në minutën e 64-t, i siguroi një biletë për në fazën çerekfinale skuadrës së Zhoze Murinjos, që e dominoi  këtë takim.

Paraqitje pozitive në këtë mbrëmje edhe për mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla, që e justifikoi më së miri besimin e teknikut portugez. Shqiptari qëndroi në fushë gjatë gjithë duelit, duke mos lejuar hapësira në repartin e prapavijës.

Kualifikimi në Kupën e Italisë në çerekfinale nuk është vetëm një detyrim për skuadrat e mëdha italiane, por është edhe një burim i mirë të ardhurash.

Siç raporton “Calcio e Finanza”, në përfundim të kompeticionit do të jenë plot 7 milionë euro që do të shkojnë në arkat e fituesit, ndërkohë që për finalisten tjetër të kompeticionit shpërblimi do të jetë 5 milionë të tilla.

Shifra të tilla vijnë pasi secila prej skuadrave përfiton në total një shumë prej 3 milionë eurosh për mbërritjen deri në finale dhe më pas 2 milionë për finalen dhe 2 për triumfin, të ardhura këto, të cilave do t’u shtohen edhe paratë e grumbulluara nga shitja e biletave.