TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Xhani De Biazi mendon se Antonio Konte duhej të kishte menaxhuar në mënyrë të ndryshme situatën e skuadrës së Napolit, që është përballur me dëmtime të shumta në këtë sezon. Në një intervistë të dhënë për “Radio TuttoNapoli”, ish-trajneri i Shqipërisë ka insistuar edhe se rënia e formës së ekipit, nuk kishte të bënte me faktin se ndonjë futbollist po kursehej duke menduar Botërorin.
“Sigurisht, kur të mungojnë lojtarë, gjithçka bëhet më e vështirë për t’u planifikuar dhe menaxhuar. Ka disa gjëra për të pyetur veten dhe ndoshta edhe Antonios do t’i hyjë në punë. Pavarësisht përvojës së tij, çdo situatë e re të ndihmon të kuptosh më mirë. Fakti është se ka pasur shumë lëndime, disa muskulore dhe të tjera me trauma dhe kjo padyshim mund të ketë ndikim përmes shumë faktorëve. Nuk do t’i shqyrtojmë të gjitha këtu, është e qartë se po luhet shumë, por ka edhe përbërje ekipi të përshtatura për t’u përballuar me këto situata. Nevojitet pak rotacion i famshëm i lojtarëve dhe pak më shumë vëmendje ndaj rikuperimit dhe përgatitjes për ndeshjen, si fizikisht ashtu edhe faktikisht”, tha fillimisht De Biazi.
Më pas, ai u pyet nëse mendonte se lojtarët po kurseheshin duke e pasur mendjen te ndeshjet me përfaqësueset e tyre, në mars e padyshim për Botërorin.
“Jo, nuk mendoj. Lojtarët e sotëm janë mësuar të kenë angazhime të vazhdueshme dhe të afërta. Angazhimi me ekipin kombëtar është diçka që vjen më vonë, në këtë moment të kampionatit duhet të nxjerrësh të gjitha burimet që ke për të arritur sa më lart të mundesh. Nuk mendoj se dikush po mendon për ndeshjet kualifikuese ose play-off të Kupës së Botës tani. E njëjta gjë vlen edhe për të huajt, nuk mendoj se ata po mendojnë për ekipet e tyre kombëtare. Këtë gjë e kupton kur bëhesh trajner dhe duhet t’u kujtosh lojtarëve se edhe ekipi kombëtar ekziston. Prandaj, mendoj se çështja e dëmtimeve duhet të analizohet ndryshe”, tha De Biazi.