SPORT, 4 Mars 2026, 15:48

Ish-futbollisti i Mançester Junajtid nuk e fsheh dëshirën: Karlo Ançeloti, zgjedhja perfekte për “Djajtë e Kuq”

Ish-futbollisti i Mançester Junajtid nuk e fsheh dëshirën:

Shumë diskutime janë ngritur mbi trajnerin e Mançester Junajtid, teksa ish-mesfushori anglez Pol Skolls, ka deklaruar se do të dëshironte të shihte trajnerin aktual të Brazilit, Karlo Ançeloti, në krye të stolit “Djajve të Kuq”. Në podcastin “The Good, The Bad & The Football Podcast”, Skolls e cilësoi italianin si zgjedhjen ideale për klubin e Junajtid.

“Sipas meje, zgjedhja perfekte është ai, Ançeloti. E di që është trajner i Brazilit, por ai është njeriu i duhur për Mançesterin, sepse është tip që i bën lojtarët të ndihen si një milion dollarë”, u shpreh Skolls.

Sipas tij, përvoja e madhe e Ançelotit dhe aftësia për të fituar trofe do të sillnin stabilitet dhe autoritet në skuadër. Megjithatë, ish-mesfushori ngriti edhe një pikëpyetje rreth moshës së trajnerit italian.

“A është shumë i vjetër tani? Kjo është e vetmja dilemë. A ka ndonjë tjetër të atij niveli, me më shumë përvojë? Junajtid ka nevojë për një lider me prezencë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Skolls foli edhe për trajnerin aktual, Kerrik, kontrata e të cilit zgjat deri në muajin qershor. “A mund ta shohim Majkëllin, duke fituar Premier Ligën? Nuk e di”, përfundoi ai.

Ndërkaq, duhet thënë se Kerrik ka bërë një start të shkëlqyer si trajner i përkohshëm i “Djajve të Kuq”, duke mbajtur skuadrën të papërmbajtshme në ndeshjet e tij të para në Premier Ligë. Rezultatet e fundit përfshijnë: 2-0 ndaj Sitit, 3-2 me Arsenal; 3-2 kundër Fulhem; 2-0 ndaj Totenhem; 1-1 me Uest Hem; 1-0 përballë Evertonit dhe 2-1 kundër Kristal Palas. Kjo seri pa humbje ka ngjallur diskutime mes tifozëve dhe ekspertëve për mundësinë që Kerrik të jetë trajneri i duhur, në mënyrë permanente edhe për të paktën 1 vit tjetër. Kështu ka rikthyer shpresën për stabilitet dhe rezultate pozitive në klubin legjendar anglez.