SPORT, 9 Korrik 2023, 10:18

Cili sport është biznesi më i mirë?

Cili sport është biznesi më i mirë?

Finalet e vitit 2023 të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit të Amerikës (NBA) dhe Ligës së Kampionëve të futbollit të Europës, ishin të dyja ngjarje sportive që bënë histori, por në mënyra krejt të ndryshme.

Më 12 qershor, gara e basketbollit kurorëzoi Denver Nuggets, një ekip të një qyteti të vogël që nuk kishte fituar kurrë një kampionat. Ata mundën sfiduesin Miami Heat, një ekip që nuk shquhet si i fortë. Po të kishte fituar ekipi Miami Heat do të kishte qenë një fitore e jashtëzakonshme për një ekip disi të panjohur.

Ndërkohë, në finalen e Ligës së Kampionëve të UEFA-s, e mbajtur më 10 qershor, ekipi i mirënjohur anglez, Manchester City, mposhti një legjendë të futbollit europian, Interin e Italisë, shkruan The Economist.

Në përgjithësi, ligat europiane dhe angleze të futbollit, i lejojnë skuadrat që të shpenzojnë sa të duan për lojtarët e tyre, për sa kohë që nuk humbasin shumë para. Skuadrat më të suksesshme, zakonisht fitojnë më shumë para, kështu që kanë më shumë burime për të shpenzuar për lojtarët më të mirë, duke rritur shanset e ekipit për sukses, e kështu me radhë.

Një javë para triumfit në Ligën e Kampionëve, Manchester City rrëmbeu Kupën e Anglisë, duke mposhtur Manchester United, një tjetër ekip të pasur. Manchester United dhe Manchester City kanë fituar 20 nga 31 titujt e fundit të Premierligës angleze; ndërsa Liga e Kampionëve (ose paraardhësi i saj, Kupa Europiane), është fituar nga Real Madrid dhe AC Milan, 21 nga 68 herë gjithsej.

Ndërkohë, përtej Atlantikut, gara më fitimprurëse e botës së sportit, Liga Kombëtare e Futbollit (National Football League) siç quhet futbolli amerikan, ka një kufi të caktuar pagash, dhe si pasojë, ka më shumë barazi mes skuadrave.

Dy skuadrat e para kanë fituar vetëm 12 nga 56 kampionatet Super Bowl, që janë turnetë vjetorë të këtij sporti. Kufiri i NBA-së për pagën e lojtarëve, që tashmë ka arritur shumën 124 milionë dollarë, u rrit në vitin 2011 dhe përsëri këtë vit, kur u lidh një marrëveshje për ndarjen e të ardhurave me negocim, midis sindikatës së lojtarëve dhe pronarëve të ekipeve.

“Marrëveshja e re në thelb po përpiqet të parandalojë superekipet”, thotë Brian Windhorst nga rrjeti televiziv ESPN.

Dhe duket se po funksionon. Analiza e The Economist për të dhënat e NBA-së tregon se së fundmi, në finale (ose play-off), kanë arritur një grup më i gjerë skuadrash se më parë. Në pesë vitet e fundit, 29 nga 30 skuadrat e NBA-së, arritën në fazën eliminatore të ligës, të paktën një herë (Charlotte Hornets janë një përjashtim).

Kjo nuk ka ndodhur që prej vitit 2008, çfarë tregon se ka pasur një periudhë jashtëzakonisht konkurruese.

Pra, duket se socializmi sportiv amerikan po krijon gara më konkurruese se qasja e Europës, me stilin e saj “fituesi i merr të gjitha”. Por a krijojnë ligat më konkurruese edhe një biznes më të mirë? Këtu provat janë të përziera.

Nga njëra anë, mungesa e parashikueshmërisë mund të nxisë interesin: në fund të fundit, pse të shikosh një ndeshje, kur e di se kush do të fitojë? Mundësia e suksesit të një ekipi të dobët mund të ndihmojë ekipet e vogla të tërheqin baza të përkushtuara tifozësh.

Nga ana tjetër, njerëzit e adhurojnë një fitues. Zoti Windhorst vëren se vitet më fitimprurëse të NBA-së kanë qenë pikërisht sezonet ku kanë mbizotëruar ekipet me emër, si Boston Celtics. Në vitin 2022, kur në finale u ndeshën Celtics kundër Golden State Warriors të San Francisko-s, dy ekipe mjaft të forta, Liga arriti të ardhura rekord 10 miliardë dollarë.

Një tjetër ndryshim strukturor midis sportit amerikan dhe atij europian është më i lehtë për t’u lidhur me potencialin e tyre për të fituar para.

Ndryshe nga futbolli europian, ku skuadrat mund të promovohen ose të arrijnë nivele të ndryshme ligash, sportet amerikane zakonisht janë “të mbyllur”, që do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë që ekipet e reja të arrijnë në turnetë më të larta. “Europianët e shohin këtë si thelbësore për organizimin e sporteve me ekipe”, shpjegon Stefan Szymanski nga Universiteti Michigan.

Nëse numëroni të gjitha nivelet, më shumë se 1000 klube në të gjithë Europën shpresojnë të konkurrojnë në Ligën e Kampionëve. Ndërsa NBA-ja ka 30 dhe NFL-ja 32, me tregje shumë më të përqendruara. Dhe përqendrimi çon në pasuri. (Kjo shpjegon pse ligat e shkëputura janë një kërcënim për skuadrat elitare të futbollit europian).

Vitin e kaluar, të ardhurat e NFL-së arritën në 19 miliardë dollarë, gati tri herë më shumë se sa Premier League angleze, e cila krenohet me numrin më të madh të fansave në mbarë botën, më tepër se të gjitha sportet amerikane të marra së bashku (shiko grafikun).

Si rezultat, skuadrat amerikane që garojnë, fitojnë vlerësime më të larta. Gjatë dekadës së fundit, vlera e ekipeve mesatare të NFL-së dhe NBA-së, është rritur përkatësisht me më shumë se 300% dhe 600%, krahasuar me një rritje prej 170% në tregun e lulëzuar të aksioneve të Amerikës. Në fund të fundit, ajo që e bën sportin e Europës të duket europian, është gatishmëria për të sakrifikuar fitimet për pjesëmarrje./Monitor