SPORT, 16 Qershor 2025, 15:37

Analiza e trajnerit të Realit, Ksabi Alonso: Duhet të shpejtojmë, nuk kemi shumë kohë

Analiza e trajnerit të Realit, Ksabi Alonso: Duhet të shpejtojmë,

Kam nevojë për një lidhje të ngushtë me ekipin për të ndier atë që i duhet secilit lojtar. E di që jam trajneri, por më pëlqen të jem pranë të gjithëve”, rrëfeu Ksabi Alonso ditën e prezantimit të tij te Reali i Madridit jo shumë ditë më parë. Një afërsi me lojtarët e Madridit në kërkim të një mirëkuptimi më fluid që është dashur të kalojë nëpër faza të ndryshme.

Trajneri nga Tolosa nuk ka pasur zgjidhje tjetër, i cili ende nuk ka përfunduar asnjë seancë stërvitore me të gjithë lojtarët dhe tashmë ka ndeshjen e parë në axhendën e tij në tri ditë. Dhe ai ka shtyrë ekipin të shpejtojë hapat.

“Duhet të përshpejtojmë gjithçka sepse nuk kemi shumë kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për t’u stërvitur. Do të fillojmë të ndërtojmë një ekip, sepse kemi tri seanca stërvitore para ndeshjes së parë. Po vijmë me shumë dëshirë dhe shpresë për të pasur një turne të mirë për ta çuar deri në fund”, shpjegoi ai për “DAZN” pas mbërritjes së klubit në Four Seasons Palm Beach. Seanca e parë stërvitore është zhvilluar dje orën 10:30 sipas orës lokale (14:30 sipas orës spanjolle) dhe ka përfshirë edhe lojtarët e fundit ndërkombëtarë që janë bashkuar me grupin. Vinicius Zhunior, Arda Gyler dhe Lunin mbërritën në hotelin e ekipit në Florida dhe iu bashkuan kampit stërvitor të ekipit përpara Kupës së Botës për Klube, ku Madridi do të debutojë të mërkurën, më 18 qershor, kundër Al-Hilal në stadiumin “Hard Rock” në Majami.

“Ata kanë qenë shumë pozitivë; pak nga pak, po i njoh të gjithë. Mendoj se kontakti me të gjithë është shumë të nevojshëm”, rrëfeu ai pas ditëve të para me lojtarët. Ksabi Alonso gjithashtu theksoi se për klubin ka nisur një epokë e re pas shumë sukseseve të arritura deri më sot. “Po fillojmë një epokë të re dhe duhet të përcaktojmë përparësitë e asaj që është e rëndësishme dhe si duam të luajmë. Duam të jemi në gjendje ta bëjmë këtë që në ndeshjen e parë dhe gjëja e parë është të njohim veten”, përfundoi ai, duke iu referuar ndryshimit në stilin e lojës që ai tashmë po ua transmeton lojtarëve të tij.