SPORT, 16 Dhjetor 2022, 18:15

“Amerikano-jugorët jo në nivelin tonë”, gjithë Argjentina kundër Mbapesë

“Amerikano-jugorët jo në nivelin tonë”, gjithë

“Në Amerikën e Jugut, futbolli nuk është aq i avancuar sa në Europë, prandaj kur shikon edicionet e fundit të Kupës së Botës janë gjithmonë europianët ata që fitojnë. Ne luajmë gjithmonë ndeshje të nivelit të lartë, ky është një avantazh për ne.

Mbërrijmë gati, ndërsa Brazili dhe Argjentina jo, nuk e kanë këtë mundësi”, ishte deklarata e Kilië Mbapesë në maj, një deklaratë që sigurisht nuk u prit mirë në vendet e Amerikës së Jugut, që i kishin marrë si përçmuese fjalët e francezit.

Me përcaktimin e finalistëve të Botërorit ku “Gjelat” do të përballin Argjentinën, në kontinentin përtej oqeanit janë risjellë sërish në vëmendje fjalët e sulmuesit, me argjentinasit që po përpiqen t’i kthejnë edhe në motivim të shtuar për skuadrën e Skalonit. Bardhekaltrit në fakt kanë eliminuar në rrugën e tyre dy nga skuadrat më të forta europiane, Holandën dhe nënkampionët e botës në fuqi, Kroacinë, por në fakt provën e vërtetë Argjentina e di se duhet ta japë të dielën.

Në “Lusail” Mesi me shokë do të përpiqen ta bëjnë 23-vjeçarin t’i kapërdijë fjalët e tij dhe të “marrin hak” ndoshta në emër të të gjithë amerikano-jugorëve.

PËR RUSINË – Argjentina do të tentojë hakmarrjen edhe në planin personal për përballjen e fundit mes tyre, atë të fazës së 1/8- ave të Botërorit të kaluar, që përveçse i eliminoi, shkaktoi kaos te kombëtarja argjentinase.

Bardhekaltrit e ndërprenë aventurën ruse pas humbjes 4-3 me Francën, një humbje që nuk solli vetëm skualifikimin, por edhe një sërë pasojash. Rezultatet e munguara dhe grupi i përçarë sollën fillimisht largimin e Horge Sampaolit nga pankina dhe pastaj emërimin e zëvendësit të tij, Lionel Skaloni, e më pas edhe riformatimin e skuadrës.

Mesi, Di Maria, Otamendi e Taljafiko janë ndër të paktët të mbijetuar nga sfida e fundit me Francën dhe për ta sigurisht që kjo ndeshje do të ketë edhe shijen e hakmarrjes, që Mbape u sigurua ta përforconte.