AKTUALITET, 8 Maj 2019, 08:58

Sondazhi: Papunësia, problemi kryesor për 80 për qind të të rinjve


Në një anketë kombëtare “Rinia 2019” në të gjitha qarqet e vendit ka nxjerrë se të rinjtë e shohin pushtetin lokal aspak miqësor me ta, nuk kanë besim te politika dhe problemet kryesore për ta janë papunësia, arsimi dhe varfëria

Rinia shqiptare ndihet krejtësisht e shkëputur me politikën dhe me pushtetin lokal. Në prag të zgjedhjeve lokale Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri ka zhvilluar një anketë në të gjithë vendin ku përgjigjet e të rinjve në nivel të lartë kanë treguar skepticizëm ndaj politikës në përgjithësi dhe bashkive ku jetojnë.

Rreth 89% e të rinjve deklarojnë se bashkitë nuk janë miqësore për ta në asnjë aspekt të jetës. Në masën 90 për qind ata mendojnë se problemet e tyre nuk janë adresuar nga bashkitë në zonat ku ata jetojnë. Sipas tyre, bashkitë nuk kanë patur plan veprimi në nivel lokal që mbështet të rinjtë për punësim apo adresimin e problemeve të tjera. Ato shprehin një nivel të ulët të besueshmërisë që kanë ndaj institucioneve lokale, pasi në nivel kombëtar rezulton se rreth 57 % e të rinjve e vlerësojnë punën e bashkive zero për sa u përket çështjeve dhe të drejtave të të rinjve.

Papunësia dhe varfëria

Pavarësisht shifrave që trumbeton kryeministri Rama për uljen e nivelit të papunësisë të rinjtë e anketuar e shohin mungesën e punës si problemin e tyre kryesor. Ishin 1210 të rinj dhe të reja nga mosha 15-30 vjeç që iu përgjigjen pyetësorit të kësaj ankete ose morën pjesë në fokus-grupe nga 12 qarqet e vendit.

Nga përgjigjet e tyre 80 % e të rinjve në Shqipëri e shohin papunësinë si problemin kryesor të tyre, ndërsa problematika tjetër shihet ajo e varfërisë me rreth 55 % të tyre.

Të pyetur se cili institucion është përgjegjës për zgjidhjen e problemeve të tyre, në nivel lokal ata kanë përcaktuar bashkitë si dhe në nivel kombëtar ata kanë bërë përgjegjëse Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Buxheti i rinisë, ka zënë një tjetër hapësirë në Anketën Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”. Rreth 73 % e të rinjve, thonë se buxheti i rinisë në bashkitë e tyre është i pamjaftueshëm për zgjidhjen e problematikave të tyre. Ndërkohë që Buxheti i Shtetit për të rinjtë deri më tani vlerësohet me pamjaftueshmëri në masën 65 % të tyre.

Besimi te politika

Të rinjtë kërkojnë nga politika që temat kryesore që duhet të adresohen janë papunësia, korrupsioni, arsimi dhe varfëria. Por ata në një masë të madhe shprehin mosbesim te partitë politike dhe te zgjedhjet. Ata preferojnë të mos votojnë dhe arsyet e këtij vendimi kanë të bëjnë me mosbesimin te politika, dëshira për të emigruar, mungesa e politikanëve të rinj etj.

Rreth 62 % e të rinjve janë shprehur se nuk besojnë fare te asnjë grupim politik, për të trajtuar problemet dhe për të bashkëpunuar me të rinjtë.

Mbi 50 % e të rinjve nuk do të votojnë në zgjedhjet vendore të 2019, pasi ata nuk kanë besim te asnjë parti dhe program politik, si dhe asnjëra prej tyre nuk iu ngjall më shpresë për ndryshim duke i detyruar të rinjtë të largohen nga Shqipëria. Gjithashtu, rreth 84 % e të rinjve shprehen se partitë politike janë aspak apo shumë pak të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve në vend, duke u shprehur se partitë politike vetëm në 35 % të rasteve konsultohen me të rinjtë në fushata elektorale.

Anketa Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, e cila u prezantua në Samitin e 1-rë Kombëtar të të Rinjve, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve vendore në Shqipëri, sjell një realitet të zymtë për sa u përket problematikave të të rinjve në vend. Anketa sjell fakte për të cilat duhet të reflektojnë edhe partitë politike, por edhe kandidatët e të zgjedhurit vendorë.