AKTUALITET, 20 Nëntor 2017, 17:59

“Skaneri” i Igli Tares, drejtorit më të mirë sportiv: Ja si ringrihet Italia

“Skaneri” i Igli Tares, drejtorit më të mirë sportiv:

Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare Igli Tare ka qenë i ftuar në televizionin italian Rai 2, ku për veç të tjerave ka folur edhe për situatën jo të mirë që po kalon futbolli italian. Drejtori sportiv më i mirë në Itali u ka sugjeruar drejtuesve të futbollit atje të aplikojnë projektin gjerman dhe tu japin më shumë besim futbollistëve të rinj.

Në Itali ka kualitet?

Nuk e shikoj situatën kaq tragjike. Në vitet ’90 edhe në Gjermani ishte e njëjta situatë, pas Botërorit duhej bërë një ndryshim gjeneratash. Ishte moment për të besuar te të rinjtë. Tani janë kualifikueset e Europianit dhe duhet besuar te të rinjtë. Veçanërisht, të mëdhatë duhet t’u japin shansin të rinjve.

A është një tragjedi?

Po krijohet një tragjedi dhe nuk jam dakord. Unë e njoh futbollin Italian. Punohet mirë dhe janë 40 të rinj të U-23, pse të mos u besohet atyre me një projekt prej 4 vjetësh?

Po nuk po e kalojmë dot shokun psikologjik?

Shoku ishte shumë i fortë, sepse një Botëror pa Italinë është i paimagjinueshëm. Por te një gjë negative duhet të shohim diçka pozitive, duhet të krijohet një Federatë me ide të qarta, pastaj të merret një trajner i ri, i cili mund të punojë me të rinjtë. Dhe ata italianë kanë kualitet të madh.

Ju keni besuar te një trajner i ri italian?

Ka trajnerë shumë të zotët, por për fat të keq jemi të fiksuar te rezultatet dhe kjo gjë kushtëzon të rinjtë. Te Lacio i kemi idetë të qarta: një projekt i gjatë dhe këto vite në ekip kanë ardhur shumë të rinj.

Raporti me trajnerin?

Më shumë se profesional. Jemi miq dhe njihemi prej 12 vjetësh. Kemi luajtur bashkë. Bashkë me presidentin i dinim cilësitë e tij dhe ai na e ka shpërblyer me punë dhe trofe.