AKTUALITET, 22 Nëntor 2018, 15:28

Skandali me pronën në ish-Bllok, përmbaruesit nuk presin vendimin e Gjykatës së Apelit

Një konflikt pronësie nisi mëngjesin e djeshëm në zonën e ish-Bllokut, në rrugën “Vaso Pasha”, ku befas u shfaqën përmbaruesit për të bërë ekzekutimin e një vendimi, që në fakt është një sigurim padie nga Gjykata e Tiranës.

Pa pritur që vendimi të marrë formën e prerë, pasi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit, përmbarimi është shfaqur brenda 5 ditëve nga sigurimi i padisë për të bërë sekuestrimin e pronës. Bëhet fjalë për një objekt, që është marrë me qira prej shumë vitesh nga pronari, i cili në fakt kontratën e ka me shtetin, por që tashmë truallit, ku ndodhet ky objekt, i kanë dalë pronarët. Mësohet se përplasja ka ndodhur pikërisht mes personave që administrojnë biznesin në objektin e marrë me qira për shumë vite nga shteti dhe personave që pretendojnë se janë pronarë të tokës.

Këta të fundit, që pretendojnë të jenë trashëgimtarë të truallit, kanë bërë dy padi, që në fakt është në shkelje të ligjit, konkretisht, të një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë. Të parën për të gjykuar çështjen në themel dhe e dyta është një sigurim padie ku kanë kërkuar lirimin e pronës. Të dyja këto padi janë për të njëjtën çështje, gjë që është e paligjshme, nisur nga vendimi unifikues, që shprehet se nuk mund të ketë edhe çështje në themel, edhe sigurim padie me të njëjtin objekt.

fax

E megjithëse sigurimi i padisë është një masë paraprake, përmbarimi ka shkuar aty brenda 5 ditëve. Mësohet se gjyqtarja Dhurata Balla e ka marrë këtë vendim brenda 24 orëve dhe përmbarimi me punonjës të Policisë Bashkiake kanë shkuar te prona për të bërë ekzekutimin e vendimit, që prej orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm.

POLICIA

Të pranishëm në objektin, që po diskutohet të prishet, kanë qenë edhe shërbimet e Policisë së Shtetit, konkretisht 30 shërbime të Komisariatit nr.2. Ata kanë shkuar në mbështetje të përmbaruesve, të cilët kishin “punësuar” disa persona për të bërë prishjen e objektit. Edhe pse pa asnjë vendim për prishjen, Policia ka lejuar që të ndodhte një vepër penale, siç është “shkatërrimi i pronës”, madje duke qenë edhe vetë dëshmitare e një vendimi të tillë.

Për aq kohë sa nuk është marrë ende një vendim i formës së prerë nga Gjykata, veprimi i përmbaruesve në këtë rast konsiderohet i paligjshëm, madje është vepër penale, “shkatërrim prone”. Pronarët kërkojnë truallin, por askush nuk mban përgjegjësi se çfarë do të ndodhë me investimin që është kryer prej vitesh mbi atë truall.

QIRAMARRESI

Nga të dhënat që na u bënë të ditura në vendin ku po ndodhte incidenti, mësuam se qiramarrësi i objektit e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por gjyqtarja Dhurata Balla nuk e ka dërguar dosjen në sekretari, në mënyrë që më pas të administrohej nga Gjykata e Apelit.

Në këto rrethana, ata mendojnë se vendimi i gjyqtares Balla e ka paravendosur edhe çështjen që do të gjykohet në themel në Gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, përmbaruesit kanë nisur aksionin për prishjen e biznesit, ende pa mbaruar çështja. Pronarët, që administrojnë prej shumë vitesh dhe aktualisht objektin e marrë me qira nga shteti, apelojnë që të zgjidhet me drejtësi kjo çështje dhe që Gjykata të mos bllokojë dosjen, ashtu siç ka ndodhur deri tani.