TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Porti i Durrësit ka regjistruar një rritje të lëvizjeve të pasagjerëve gjatë vitit 2026, me qindra mijëra udhëtarë që kanë përdorur Terminalin e Trageteve për hyrje dhe dalje nga Shqipëria. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–korrik 2026, përmes Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit kanë udhëtuar gjithsej 349,423 pasagjerë.
Nga ky numër, rreth 160 mijë pasagjerë janë nisur nga Durrësi drejt porteve të tjera, ndërsa afërsisht 190 mijë udhëtarë kanë hyrë në Shqipëri përmes këtij terminali. Muaji korrik ka shënuar pikun e fluksit gjatë kësaj periudhe, me 112,740 pasagjerë të përpunuar. Prej tyre, 83,315 persona kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa mbi 29 mijë kanë udhëtuar drejt destinacioneve jashtë vendit.
Krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur në Portin e Durrësit u regjistruan 111,049 pasagjerë, këtë vit janë përpunuar rreth 1,700 udhëtarë më shumë, duke shënuar një rritje prej afërsisht 1.5%.
Rritja e lëvizjeve gjatë muajit korrik lidhet kryesisht me sezonin turistik veror, ardhjen e emigrantëve dhe fluksin e turistëve që zgjedhin Shqipërinë për pushime.
Për të përballuar kërkesën e shtuar gjatë verës, vijojnë edhe lundrimet me frekuencë të shtuar drejt dhe nga portet italiane, me shërbime vajtje-ardhje dhe kapacitete të shtuara për transportin e pasagjerëve.