BOTA, 30 Mars 2018, 13:45

Shpërthen në flakë furgoni, humbin jetën 17 persona

Një furgon që transportonte emigrantë afganë, pakistanezë dhe iranianë është përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe më pas ka marrë flakë duke shkaktuar vdekjen e 17 personave.

Shumë emigrantë që ranë në rrugë nga furgoni i tejmbushur u përplasën më pas nga një tjetër furgon. Si pasojë e aksidentit të tmerrshëm në aksin rrugor Igdir-Kars të Turqisë, pranë kufirit me Armeninë, humbën jetën 17 persona dhe u plagosën 36 të tjerë.

Gazeta turke “Hurriyet” thotë se megjithëse furgoni i mbushur me emigrantë të paligjshëm kishte vetëm 14 ulëse, në të ishin futur mbi 50 të persona.

Shoferi i furgonit me emigrantë humbi jetën në aksident, ndërsa shoferi i furgonit të dytë që përplasi për vdekje disa prej atyre që kishin rënë në rrugë u vu në pranga sëbashku me taksistin që e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes.

Emigrantët e paligjshëm, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, mësohet se kishin hyrë në Turqi nga Irani dhe do të trafikoheshin për në vendet evropiane.