BOTA, 29 Mars 2018, 10:04

Trump: Presidenti kinez më konfirmoi se takimi me Kim Jong-un shkoi shumë mirë

Trump: Presidenti kinez më konfirmoi se takimi me Kim Jong-un shkoi

Presidenti Donald Trump ka komunikuar me presidentin e Kinës, Xi Jingping, i cili e ka siguruar se takimi me liderin e Koresë së Veriut ka shkuar “shumë mirë”.

Përmes një postimi në Twitter, Trump shkruan se Xi i ka thënë në mesazh se takimi me Kim-in shkoi “shumë mirë” dhe se “Kim e mirëpret takimin me të”.

Trump shprehu optimizëm se “Kim Jong Un do të zgjedhë të bëjë më të mirën për popullin e tij dhe për njerëzimin. E mirëpres takimin tonë”. Teksa shtoi se  sanksionet kundër Koresë së Veriut do të vazhdojnë të jenë në zbatim.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se qeveria kineze kishte telefonuar për t’i përditësuar rreth vizitës së Kim-it. Përditësimi përfshinte një “mesazh personal” të dërguar nga Xi për presidentin Trump, sipas Shtëpisë së Bardhë, edhe pse nuk dhanë detaje të mëtejshme.

“Ne e shohim vizitën e Kim-it në Kinë si dëshmi se fushata jonë me presion maksimal po krijon atmosferën e duhur për dialog me Korenë e Veriut”, tha Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders.

Diktatori i Koresë së Veriut u largua nga Pekini të martën, pasi ishte takuar me krerët e vendit për disa ditë me radhë. Vizita e tij nuk u njoftua në publik deri ditën që ndodhej në Kinë, sipas CNN.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar në fillim të këtij muaji se Presidenti Trump e kishte pranuar ftesën e udhëheqësit koreano-verior për t’u takuar, pasi iu raportua verbalisht në Uashington nga një delegacion i Koresë së Jugut.

Teksa Koreja e Veriut ende nuk ka komentuar për takimin në fjalë.

Nëse krerët e dy vendeve takohen, do të ishte hera e parë që një President amerikan takohet me një udhëheqës të kombit të izoluar aziatik.