BOTA, 30 Mars 2018, 10:12

Lufta në Siri, Franca ofron ndërmjetësim midis Turqisë dhe kurdëve

Lufta në Siri, Franca ofron ndërmjetësim midis Turqisë dhe

Franca ka ofruar që të ndërmjetësojë në konfliktin në veri të Sirisë, aty ku ushtria turke nisi një sulm ushtarak kundër luftëtarëve kurdë, në muajin janar.

Ankaraja kërkon që të dëbojë milicinë kurde, të cilën e shikon si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Presidenti francez, Emmanuel Macron u takua me anëtarë të Forcave Demokratike Siriane (që kanë shumicë kurde) dhe tha se ka shpresë për një dialog mes Turqisë dhe milicisë.

Zyra e tij e shtypit ka thënë se Macron “falenderoi Forcat Demokratike Siriane për sakrificat në luftën kundër Shtetit Islamik”.

Franca ka pësuar një seri sulmesh vdekjeprurëse terroriste të pretenduara nga Shteti Islamik në vitet e fundit, duke përfshirë sulmet në Paris që vranë 130 njerëz në 2015-ën.

Vetëm një javë më parë, një simpatizant i Shtetit Islamik u mori jetën tre personave në një pengmarrje në Francën jugore, duke përfshirë edhe një oficer policie që vdiq pasi kërkoi të shkëmbehej me një peng.