AKTUALITET, 4 September 2026, 21:01

Salmonela në mishin brazilian/ AKU zbuloi 14.8 tonë të kontaminuar, 1.32 tonë u shitën te konsumatorët

Më 3 shtator, Shqipëria ndaloi importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas vendimit të Bashkimit Evropian, i cili e cilëson mishin brazilian si produkt të pasigurt, pasi dyshohet se te kafshët e gjalla injektohen antibiotikë të ndaluar në BE.

Por mishi i importuar nga Brazili nuk paraqet shqetësim vetëm për praninë e antibiotikëve të ndaluar, por edhe për mundësinë e kontaminimit me baktere.

Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë vitit 2025 identifikuan rreth 14.8 tonë mish pule dhe derri me Salmonelë, ku një pjesë e sasisë së mishit të kontaminuar ishte konsumuar nga shqiptarët.

Rasti më shqetësues lidhet me një ngarkesë prej 10 mijë e 272 kilogramësh, ose 10.27 tonë, fileto pule “Copacol”, ku analizat konstatuan praninë e Salmonella Typhimurium.

Kur inspektorët e AKU-së ndërhynë, 8 mijë e 949 kilogramë, ose rreth 8.95 tonë, u gjetën ende në subjekt dhe u bllokuan. Ndërkohë, 1 mijë e 322 kilogramë, ose rreth 1.32 tonë fileto pule, rezultonin se ishin shitur te konsumatorët.

Sasia e bllokuar dhe produktet e kthyera nga tregu u dërguan për asgjësim.

Një tjetër rast u evidentua me mishin e derrit. Në vitin 2025, inspektorët konstatuan 4 mijë e 516 kilogramë, ose rreth 4.52 tonë, fileto derri të ngrirë të kontaminuar me bakterin e salmonelës.

Ndryshe nga rasti i mishit të pulës, e gjithë kjo sasi ndodhej ende në magazinën frigoriferike të subjektit dhe nuk ishte shpërndarë në treg. AKU e bllokoi produktin dhe më pas e asgjësoi.

Në vitin 2025, AKU raporton se ka marrë 17 mostra të mishit të pulës dhe 8 mostra të mishit të derrit.

Në këtë listë nuk rezulton asnjë mostër e mishit të gjedhit me origjinë nga Brazili.

Kjo ngre pikëpyetje mbi nivelin e kontrollit laboratorik të mishit të gjedhit të importuar nga Brazili, në një kohë kur siguria e produkteve shtazore që vijnë nga ky vend është vendosur nën një vëmendje të shtuar edhe nga autoritetet evropiane.

Këto të fundit i kanë ngritur “karton të kuq” importit për një afat të pacaktuar, pasi dyshohet se te kafshët janë përdorur medikamente veterinare të ndaluara.