TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Përdoruesit e automjeteve janë ndodhur dje që nga mëngjezi përballë një surprize të hidhur: çmimi i shitjes së karburanteve me pakicë është rritur me 5 lekë për litër në të gjitha pikat e tregtimit.
Disa nga shoqëritë tregtare që e shisnin deri dy ditë më parë gazoilin (naftën) me 168 lekë/litër e kanë rritur atë në 173 lekë/litër, ndërsa benzinën nga 169, në 174 lekë për një litër.
Ndërkohë, disa të tjera që pretendojnë për karburante më cilësore e kanë rritur çmimin deri në 179 lekë për një litër. Siç ka ndodhur zakonisht në të tilla raste, por edhe në rastet e uljes së çmimit, të gjitha pikat e karburanteve me pakicë i kanë rritur në të njejtën ditë dhe në të njejtën masë çmimet.
Çmimi
Ndryshimi aktual ka të bëjë vetëm me faktin që në tregun ndërkombëtar janë rritur çmimet e naftës bruto. Në rast se në 21 qershor të këtij viti në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë amerikane (WTI – West Texas Intermediate) arriti një minimum prej 42.52 dollarësh, ditën e premte kjo shifër ishte në nivelin e 54.9 dollarëve për fuçi, me një rritje prej 29 përqindësh.
Ndërkohë detyrimet e tjera fiskale mbi karburantet nuk kanë ndryshuar. Mbi çmimin e blerjes me shumicë (ku ndikon edhe kursi i dollarit), edhe ndërmarrjet e përpunimit shtojnë fitimet, më pas llogaritet edhe kostoja e transportit detar, me gjithë sigurimet, në rastet kur produkti është blerë jashtë Shqipërisë. Më pas vijnë shpenzimet e portit pritës, për t’u lënë vend atyre fiskale.
Këtu ndërhyn shteti, duke e rritur më tej koston, me shtimin e një numri taksash. Kjo, duke filluar nga taksa doganore, akciza, etj. Kurse kompanitë tregtare të pakicës shtojnë nga ana e tyre edhe një kosto tjetër, që ka të bëjë me shpenzimet e tyre për punonjësit, taksat vendore dhe qendrore, etj, për të arritur, nga 146 lekë për litër, që blihej nafta të premten tek shumica, në 173-178 lekë për litër tek klienti fundor.
Prodhimi
Ndonëse pritej një ndikim i madh në çmim nga rivënia në punë e rafinerisë së përpunimit të naftës ARMO, kjo e fundit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ulur në mënyrë drastike importin e karburanteve. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, importet e karburanteve pësuan rënie vjetore me 22 për qind gjatë tetëmujorit. Nga 340 mijë tonë naftë të importuara në janar-gusht 2018, gjatë 2017-ës janë importuar 264 mijë tone, ose 75 mijë tonë më pak.
Diferenca në një treg të njejtë është përballuar nga prodhimi i naftës në vend nga rafineria ARMO. Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.
Por ARMO ka shumë probleme me detyrime të pafundme të prapambetura dhe nuk duket se po arrin të ndikojë fuqishëm në uljen e çmimit të nënprodukteve të naftës në treg.
Konkurrenca
Por nuk përjashtohet edhe një marrëveshje e heshtur mes importuesve dhe prodhuesit shqiptar për të mbajtur çmime të afërta në treg për karburantet. Autoriteti i Konkurrencës ka kohë që monitoron çmimet e shitjes me pakicë të karburanteve, gjë që e bëri edhe në vitin 2016, ashtu siç bëri edhe dy vitet e mëparshme.