AKTUALITET, 4 Tetor 2018, 10:16

Rrëfimi i Xhisielës: Jam dobësuar 12 kg pas publikimit të kësaj ngjarjeje, jeta ime..

Rrëfimi i Xhisielës: Jam dobësuar 12 kg pas publikimit të

Në dy intervistat televizive Xhisiela Maloku tregoi se pas publikimit të ngjarjes u dobësua duke humbur 12 kilogramë. Shpjegoi se jeta e saj ishte bërë dramatike.

“Jam dobësuar 12 kilogramë që pas publikimit të kësaj ngjarjeje. “Jeta ime është bërë traumatike”. Këto ishin fjalët e Xhisiela Malokut në intervistat e dhëna ku ajo nuk ngurroi të dilte me zë e figurë dhe të përgënjeshtronte denoncimet e bëra po prej saj në adresë të Rexhep Rrajës, ish të dashurit të saj.

Jeta e saj para ndarjes me djalin e deputetit të Partisë Socialiste ishte krejt ndryshe, kjo vërtetohet nga fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale, ku shihet me trëndafila, gota vere dhe vende të bukura.

Xhisiela është rritur jetime me të motrat dhe vetëm të ëmën të punësuar, ka pasur mbështetje te të afërm të saj, të cilët e kanë ndihmuar që të ndjekë studimet e larta në degën Shkenca Politike në një universitet privat, e më pas edhe masterin.

Të paktën kështu pohoi vetë ajo, duke mos përmendur në asnjë moment si mbështetës të mundshëm financiar ish-të dashurin e saj, djalin e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Jeta e Xhiselës mori kthesë pas publikimit të pak ditëve më parë në media, të denoncimeve të njëpasnjëshme të saj ndaj ish-të dashurit, Rexhep Rraja.

E ndodhur para presionit mediatik, deklaratave politike, por, siç duket, edhe të kërcënimeve të mundshme ndaj saj, Xhisela vendosi të dalë me zë e figurë dhe të mohonte gjithçka. Ajo çka ekspertët psikologë konstatuan, ishte pozicioni disi vetëmbrojtës i saj para gazetarëve, me përgjigje mjaft mekanike, të paramenduara dhe aspak spontane.

Gjuha e trupit shfaqte lëvizje dhe mimika që nuk korrespondojnë me logjikën verbale dhe as me situatën e dhunës së dokumentuar tashmë me prova nga Prokuroria dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Xhisela duket se shmangu me koshiencë të plotë lotët dhe përjetimin e asaj çka ka denoncuar vetë nëpër komisariate dhe u fokusua vetëm tek ajo çka donte të përcillte.

Më vëmendje mjaft të madhe ndaj pyetjeve të gazetarëve, ajo çka u përpoq të vinte në dukje dhe ta ripërsëriste disa herë ishte se “kam ardhur me vullnetin tim të lirë”, “kjo që them unë është e vërteta”, “nuk jam kërcënuar”. Xhisela pranoi se ishte koshiente për atë çka vinte më pas në rast të një dëshmie të rremë, duke ngulmuar se ish-i dashuri i saj është i pafajshëm.

Xhisiela deklaroi se shenjat e cigareve në trupin e saj i kishte bërë vetë. Por, me gjithë tentativën për t’u shfaqur e qetë dhe për të mos rënë pre e emocioneve dhe ngarkesave psikologjike, ajo u “dorëzua”, duke braktisur studion televizive kur gazetarët e ballafaquan me provat dhe të dhënat e dosjes. TPZ.AL