AKTUALITET, 16 Janar 2019, 20:53

Ronaldo shënon dhe fiton trofeun e parë bardhezi, Juventusi merr Superkupën

Ronaldo shënon dhe fiton trofeun e parë bardhezi, Juventusi merr

Juventusi ka fituar sot Superkupën e Italisë, në një ndeshje që është vendosur nga një gol i Kristiano Ronaldos, në pjesën e dytë të duelit që nuk ka qenë edhe aq spektakolar sa pritej.

Juventusi krijoi më shumë në pjesën e parë dhe iu afrua golit me disa tentativa drejt portës së Donarumës.

Në fillimin e pjesës së dytë, Milani mund të shënonte golin e avantazhit me Kutrone, i cili goditi traversën nga një pozicion i favorshëm. Ky episod zgjoi i Juventusin të cilit iu deshën pak minuta për të gjetur golin e avantazhit.

Pasim milimetrik i Pjaniç dhe gol me kokë i Ronaldos i vetëm para Donarumës, me dyshimet për pozicionin e portugezit në momentin e harkimit. Por VAR zyrtarizoi gjithçka dhe Juventusi e pa veten në avantazh, duke u përpjekur më pas të administronte rezultatin.

Gatuzo vendosi të shtonte forcën në sulm duke hedhur edhe Higuain në fushë, por pak minuta më vonë plani i tij u prish nga kartoni i kuq i Kesi që la Milanin me 10 lojtarë e bëri thuajse të pamundur rikuperimin nga kuqezinjtë të cilët nuk kishin forca të përballeshin me administrimin që i bëri lojës Juventusi.

Bardhezinjtë shkuan të qetë drejt vërshëllimës finale, duke marrë fitoren dhe trofeun e parë për vitin 2019.