AKTUALITET, 16 Janar 2019, 17:20

Spaho dhe Vasili, Ruçit: Dekretimi i ministrave të bëhet me debat, askush nuk na ndalon fjalën

Spaho dhe Vasili, Ruçit: Dekretimi i ministrave të bëhet me

Dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, ai i PD-së, Edmond Spaho dhe ai i LSI-së, Petrit Vasili, i kanë kërkuar që në nisje të seancës plenare kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që seanca për dekretimin e minsitrave të rinj të zhvillohet me debat, dhe jo të kalohet direkt në votim.

Spaho tha se, askush nuk mund tu ndalojë fjalën deputetëve të opozitës për sa kohë që Kushtetuta dhe ligji ua lejon.

‘Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit, kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve të bëhet me debat dhe ne kemi paraqitur listën e forcave për çdo grup parlamentar, kërkojmë të zhvillohet debat. Prandaj njofto që do të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e ministrave’, u shpreh Spaho.

Ndërkohë që në të njëjtën linjë u shpreh dhe kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili.

‘Pasi kemi komunikuar edhe me stafin tuaj, të cilët kërkuan që të depozitohen që më përpara lista e diskutantëve, e kemi kryer këtë procedurë. Nuk ka asnjë pikë të vetme të rregullores që ndalon debatin’’, tha Vasili.