AKTUALITET, 29 Tetor 2019, 13:35

Refuzimi i negociatave, Zaev: Marrëveshja e Prespës mund të mos zbatohet

Refuzimi i negociatave, Zaev: Marrëveshja e Prespës mund të mos


Gjatë një interviste për seksionin grek të “Euronews”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se Marrëveshja e Prespës me Greqinë mund të mos zbatohet plotësisht pas refuzimit të BE-së për hapjen e negociatave.

Zaev theksoi se disa kapituj të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës varen nga hapja e negociatave, pasi do të duhet të alokohen fonde nga Bashkimi Europian.

“Sigurisht që Maqedonia e Veriut nuk pret anëtarësimin e menjëhershëm në institucionet europiane, por një përgjigje PO do të ishte nxitje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të vazhdonin në rrugën e duhur”, tha Zaev.

Sipas tij, disa dispozita të Marrëveshjes së Prespës nuk do të zbatohen pas refuzimit të anëtarësimit.

“Ka një lidhje mes zbatimit të marrëveshjes dhe fondeve në rastin e hapjes së negociatave. Ekziston një lidhje sepse miqtë tanë grekë kanë pranuar që të bënim këtë marrëveshje për shkak të së ardhmes që Maqedonia e Veriut ka në Bashkimin Europian.

Por, në të kundërt Marrëveshja e Prespës nuk mund të realizohet. Një pjesë e saj do të pezullohet sepse nuk mund të implementohet.

Ne do të përpiqemi të implementojmë disa dispozita të caktuara, por procesi është i ndërlidhur nga të dyja palët sepse shkëmbimi i fondeve do të thotë që ne t’i dorëzojmë Bashkimit Europian sovranitetin tonë kombëtar”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Zoran Zaev theksoi se e vetmja mundësi për vendin e tij, por edhe për Ballkanin Perëndimor, është perspektiva europiane, në të kundërt rajoni do të përballet me zhvillime të pakëndshme.

Marrëveshja e Prespës mes Shkupit zyrtar dhe Athinës zyrtare i dha zgjidhje ngërçit disa vjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke bërë që kjo e fundit të ndryshonte edhe emrin e shtetit.