AKTUALITET, 12 Mars 2018, 13:01

Rama vulos Teatrin e ri Kombëtar, mbi `gërmadhat e të vjetrit`, brenda një blloku betoni gjigant

Më në fund kryeministri Rama ka dalë hapur, për çështjen e nxehtë të Teatrit Kombëtar. Ashtu siç kishin paralajmëruar mediat e pa kapura, artistët dhe opozita, trualli I godinës historike do të pastrohet dhe mbi të do të ndërtohen blloqe gjigante betoni… edhe me një teatër “modern” brenda!

Këtë fakt fillimisht e mohoi edhe kryeministri Rama, edhe ministria e kulturës Kumbaro, edhe zbatuesi në teren, kryetari i bashkisë Erion Veliaj. E mohuan kur panë vendosmërinë e artistëve të Teatrit Kombëtar dhe të opinionit publik, por pas joshjes dhe “blerjes” së të parëve, sot pasdite do të bëjnë fakt të kryer planin e tyre. Bëhet fjalë për të njëjtën skemë që u përdor me stadiumin “Qemal Stafa”; Kulla gjigante…edhe me një teatër brenda!

Lajmin e faktit të kryer e ka dhënë vetë kryeministri Rama, në faqen e tij në Facebook:

“TEATRI I RI KOMBËTAR MBI GËRMADHËN E TË VJETRIT

Sot pasdite, 17.00, në sallën e ekspozitave të COD, Qendra për Hapje e Dialog, në Kryeministri, prezantohet Projekt-Propozimi i Teatrit të Ri Kombëtar/ Një nisëm frymëzuese për një Partneritet Publik-Privat në funksion të kulturës e të zhvillimit ekonomik e social. Një projekt i studios së famshme ndërkombëtare, BIG ERTV Live”, shkruan Rama plot entuziazëm.

Dhe për të na mbushur mendjen, poston plot 21 foto “gërmadhash” të bëra në bodrumet e teatrit, por harron që të hedh projektin me blloqe gjigante betoni për biznesin pranë tij, që do të ndërtohen në truallin e godinës së vetme historike, që ka ngelur më këmbë në atë zonë.