TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re të administrimit të produkteve subjekt akcize, përmes zbatimit të sistemit të përmirësuar të pullave fiskale.
Sistemi i ri i cili ka hyrë në zbatim më 1 korrik 2026, synon të modernizojë proceset e gjurmueshmërisë, monitorimit dhe verifikimit të produkteve në treg.
Në qendër të sistemit të ri është pajisja e çdo pulle fiskale me një identifikues unik digjital i cili mundëson lidhjen e pullës me të dhënat përkatëse të produktit. Kjo krijon mundësi për gjurmimin e produkteve përgjatë ciklit të tyre të qarkullimit, nga prodhimi ose importi deri në treg.
Një tjetër risi është që për herë të parë konsumatori mund të verifikojë drejtpërdrejt autenticitetin e produkteve subjekt akcize.
Nëpërmjet aplikacionit publik ALBConnect, konsumatori skanon identifikuesin unik digjital të pullës fiskale dhe verifikon në kohë reale autenticitetin e produktit, si dhe informacionin e disponueshëm të lidhur me të. Aplikacioni mundëson gjithashtu raportimin e rasteve të dyshimta ose të produkteve potencialisht të falsifikuara, duke e bërë konsumatorin pjesë aktive të mekanizmave të mbrojtjes dhe kontrollit të tregut.
Sistemi sjell gjithashtu digjitalizimin e proceseve të porositjes, aktivizimit dhe administrimit të pullave fiskale, duke synuar reduktimin e kostove dhe kohës për operatorët ekonomikë.
Për pullat e duhanit, ato tashmë ofrohen të prera dhe të gatshme për aplikim, duke shmangur nevojën për përpunim të mëtejshëm nga operatorët.
Luftë kundër falsifikimit dhe evazionit fiskal
Për autoritetet doganore, sistemi i ri ofron mjete më të avancuara për monitorim dhe kontroll, duke forcuar luftën kundër kontrabandës, falsifikimit dhe evazionit fiskal.
Në këtë mënyrë, Shqipëria synon një treg më të kontrolluar dhe më transparent, ku teknologjia shërben si një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e ligjshmërisë së produkteve subjekt akcize.
Ky sistem, pjesë e procesit të modernizimit dhe digjitalizimit të administrimit fiskal në Shqipëri, me synim rritjen e eficiencës dhe gjurmueshmërisë së produkteve në treg, sjell më shumë siguri për qytetarin, rrit transparencën për tregun dhe kontrolle të shtuara nga shteti.
Pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një takim pune me përfaqësues të ALBTrace CO sh.a. dhe operatorë ekonomikë, në kuadër të zbatimit të sistemit të përmirësuar të pullave fiskale.
Beja ka theksuar se modernizimi i administrimit të pullave fiskale duhet të sjellë njëkohësisht më shumë eficiencë në proceset e operatorëve ekonomikë dhe forcim të kontrollit e të gjurmueshmërisë së produkteve subjekt akcize.
Sistemi i përmirësuar i pullave fiskale kombinon elementet fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale, duke pajisur çdo pullë fiskale me një identifikues unik digjital dhe duke mundësuar lidhjen e saj me të dhënat përkatëse të produktit.
Në këtë mënyrë krijohen mundësi më të avancuara për gjurmimin, monitorimin dhe verifikimin e produkteve gjatë ciklit të tyre të qarkullimit.
Një tjetër risi e rëndësishme është digjitalizimi i proceseve të administrimit të pullave fiskale, nga parashikimi dhe porositja deri te aktivizimi dhe monitorimi.
Sistemi parashikon aktivizimin digjital nëpërmjet aplikacionit ëeb dhe aplikacionit mobil të integruar me sistemin qendror, ndërsa për pullat e furnizuara në rul mundësohet skanimi dhe identifikimi i tyre në sistem.
Aktivizimi digjital mundëson lidhjen e pullës së aplikuar me produktin përkatës dhe regjistrimin e përdorimit të saj në sistem. Për pullat fiskale të furnizuara në rul, aktivizimi mund të kryhet nëpërmjet skanimit të pullave ose identifikimit të intervalit të pullave të përdorura, duke skanuar pullën e parë dhe pullën e fundit të intervalit. Në këtë mënyrë, përdorimi i pullave përkatëse regjistrohet në sistem dhe lidhet me produktet mbi të cilat ato janë aplikuar.
Pullat e dëmtuara ose të papërdorshme evidentohen veçmas dhe administrohen sipas procedurave të përcaktuara për dokumentimin, inventarizimin dhe asgjësimin e tyre, nën mbikëqyrjen e autoritetit doganor. Kuadri i ri parashikon gjithashtu sigurimin e manualeve dhe udhëzimeve operacionale për përdorimin e funksionaliteteve të Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace CO sh.a., përfshirë proceset e porositjes dhe aktivizimit të pullave fiskale.
Një tjetër përmirësim i rëndësishëm lidhet me procesin e prerjes së pullave fiskale të duhanit. Ndryshe nga praktika e mëparshme, kur prerja kryhej nga vetë operatorët ekonomikë nëpërmjet palëve të treta, ALBTrace CO sh.a. ua ofron tashmë operatorëve ekonomikë pullat fiskale të duhanit të prera dhe të gatshme për aplikim. Ky ndryshim eliminon nevojën për përpunim të mëtejshëm, redukton kohën dhe kostot operative dhe siguron një proces më të standardizuar dhe më efikas.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka një rol qendror në mbikëqyrjen dhe administrimin e sistemit, përfshirë miratimin e porosive të pullave fiskale, kontrollin e përmbushjes së kërkesave ligjore dhe ndjekjen e proceseve që lidhen me administrimin e tyre. Sipas kuadrit të ri, autoriteti doganor miraton porositë brenda dy ditëve pune nga marrja e tyre nëpërmjet Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace CO sh.a.