AKTUALITET, 22 August 2026, 10:12

SPAK mbyll hetimin për dy kandidatët e PSD-së së Tom Doshit, nuk gjenden prova për blerje votash

SPAK ka mbyllur hetimin ndaj dy kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit, të dyshuar për përfshirje në blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Pas hetimeve, Prokuroria e Posaçme nuk ka gjetur prova që t’i lidhin kandidatët apo një person të tretë me kryerjen e krimeve zgjedhore dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata e Posaçme.

Sipas vendimit gjyqësor, referimi i Policisë së Tiranës lidhej me një kandidat të PSD-së, i cili kishte hapur një zyrë elektorale në zonën e Paskuqanit. Policia kishte ngritur dyshime se kandidati, duke pasur ndikim në zonë dhe në Bashkinë Kamëz, mund të ofronte 200 deri në 300 euro për çdo votë, si dhe vende pune në këmbim të mbështetjes elektorale.

Në hetim ishte përfshirë edhe dyshimi se kandidati bashkëpunonte me një mbështetës të PSD-së, i cili konsiderohej me ndikim në zonat e Bathores dhe Manzës, si dhe me një tjetër kandidat të së njëjtës forcë politike.

Përgjimet dhe vëzhgimet nuk sollën prova

Pas regjistrimit të procedimit për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, SPAK ndërmori masa hetimore, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe vëzhgim të personit të dyshuar si ndërmjetësues në shitblerjen e votave.

Sipas materialeve të dosjes, vëzhgimi është kryer gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërsa personi nën hetim rezultoi aktiv në takime me qytetarë dhe aktivitete elektorale të PSD-së.

Megjithatë, as përgjimet dhe as vëzhgimet nuk siguruan prova që të mbështesnin dyshimet fillestare të policisë për blerje votash apo përfshirjen e kandidatëve në një skemë të tillë.

Nga hetimi nuk rezultoi gjithashtu ndonjë provë për përfshirjen e personit të tretë të dyshuar në një aktivitet kriminal zgjedhor.

SPAK vlerësoi se të dhënat e referuara nga policia nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar masa të tjera hetimore ndaj kandidatëve apo personave të tjerë.

Për këtë arsye, në përfundim të hetimit, Prokuroria e Posaçme kërkoi pushimin e çështjes dhe Gjykata e Posaçme e pranoi kërkesën.