AKTUALITET, 21 August 2026, 22:37

“Taranto 2026”/ Begaj në Itali për të mbështetur kuqezinjtë në Lojërat Mesdhetare, pritet nga Mattarella dhe Meloni

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë në Itali, ku mori pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, në mbështetje të ekipit shqiptar të sportistëve.

Gjatë qëndrimit në Itali, Begaj u prit nga Presidenti italian Sergio Mattarella dhe Kryeministrja Giorgia Meloni.

Me ftesë të Presidentit Mattarella, kreu i shtetit shqiptar ndoqi nga tribuna ceremoninë e hapjes së edicionit të këtij viti të Lojërave Mesdhetare.

Shqipëria përfaqësohet në “Taranto 2026” me 71 sportistë, të cilët do të garojnë në 17 disiplina sportive. Në përbërje të delegacionit shqiptar janë edhe sportistë që kanë arritur rezultate të rëndësishme në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.

Ky edicion i Lojërave Mesdhetare merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi edicioni i ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa Kosova do të jetë flamurmbajtëse e këtij organizimi.

Vizita e Presidentit Begaj në Itali është zhvilluar në kuadër të mbështetjes për delegacionin shqiptar që merr pjesë në garat sportive, por edhe të promovimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sportit.

Prania e kreut të shtetit në ceremoninë e hapjes vjen si një mesazh mbështetjeje për sportistët shqiptarë, të cilët do të përfaqësojnë vendin në këtë event ndërkombëtar sportiv.