AKTUALITET, 22 August 2026, 11:35

Në kërkim nga Kosova për mashtrim dhe falsifikim dokumentash, arrestohet 57-vjeçari në Durrës (Emri)

Një shqiptar nga Kosova është arrestuar pasi rezultonte në kërkim. Enver Zhjeqi, 57 vjeç, u lokalizua në Durrës.

57-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg për veprat “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Kosovës.

Autoritetet po punojnë për ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/ Operacione të njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted 38”.

Lokalizohet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimi, një shtetas i dënuar në Kosovë me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe i veprimeve të shpejta policore, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pranë DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Wanted 38”.

Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 13, Durrës, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimi, shtetasi E. Zh, 57 vjeç, lindur në Kosovë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Prishtinës, Kosovë, e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Kosovës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe të Kosovës, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.