AKTUALITET, 22 August 2026, 09:46

Zjarret në veri të vendit/ Mbeten aktive disa vatra, 30 efektivë të FA në terren për shuarjen e flakëve

Vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë disa zona në veri të vendit, ndërsa situata mbetet nën monitorim nga shërbimet e emergjencës.

Në Tenë të Rrëshenit vijon të jetë aktive një vatër zjarri. Për përballimin e situatës janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 mjete zjarrfikëse, si dhe shërbimet zjarrfikëse e pyjore.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Perlat të Epërm dhe Shtuf të Kaçinarit. Në Shtuf, sipas informacioneve të fundit, nuk paraqitet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Vrrith të Pukës zjarri vijon në malin e Kashnjetit, në drejtim të fshatit Kashnjet dhe Kalivaçit. Terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, ndaj zona po mbahet nën monitorim.

Në Gojan të Madh, situata është përmirësuar, ndërsa familjet që u evakuuan një ditë më parë janë rikthyer në banesat e tyre.

Autoritetet vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe ndërhyrjet aty ku terreni e mundëson. Deri tani nuk ka një version zyrtar për shkaqet e zjarreve, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.

Situata e zjarreve në disa zona të vendit mbetet nën vëzhgim, veçanërisht në territoret pyjore ku temperaturat e larta dhe terreni i vështirë e komplikojnë ndërhyrjen e ekipeve në terren.