AKTUALITET, 22 August 2026, 11:22

“Miltoni” që të gjithë e donin/ Historia e 20-vjeçarit portugez që u vra në Ksamil, çfarë zbulohet për jetën e tij në Francë! Shqipëria s’ishte në planin e pushimeve

Vrasja e Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçarit portugez që humbi jetën në Ksamil më 18 gusht, ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në Nicë të Francës, ku ai kishte jetuar që prej moshës 11-vjeçare. Për komunitetin atje, i riu njihej me pseudonimin “Milton” dhe përshkruhet si një djalë i dashur, i respektuar dhe i angazhuar në aktivitetet e qendrave sociale për të rinjtë.

Sipas Nice-Matin, Mendes ishte zhvendosur në Nicë në moshën 11-vjeçare dhe kishte ndjekur shkollën Vernier dhe më pas ishte vendosur në lagjen Gambetta. Ai ishte mbështetur prej disa vitesh nga La Semeuse dhe qendra sociale La Ruche, ku merrte pjesë në aktivitete për adoleshentët dhe të rinjtë.

Christophe Tassano, drejtori i përgjithshëm i La Semeuse, e përshkruan 20-vjeçarin si një person që gëzonte shumë respekt në lagje dhe që shpesh përpiqej të qetësonte konfliktet mes të tjerëve. Vdekja e tij ka prekur veçanërisht stafin dhe të rinjtë që e njihnin.

Shqipëria nuk ishte destinacioni i planifikuar

Një tjetër detaj i rëndësishëm që zbulohet nga media franceze lidhet me udhëtimin e fundit të Mendes.

I riu dhe miqtë e tij kishin planifikuar të udhëtonin drejt Spanjës më 26 gusht, në kuadër të programit “Sac à dos”, të organizuar për të rinjtë. Për shkak të vonesave në organizimin e udhëtimit, grupi vendosi të nisej me shpenzimet e veta drejt Shqipërisë, ndërsa plani për Spanjën mbetej ende në fuqi.

Sipas Tassano, edukatorët madje ishin përpjekur t'i bindnin të rinjtë që të mos udhëtonin drejt Shqipërisë.

Mendes mbërriti në Ksamil me një grup të rinjsh nga Portugalia dhe Franca dhe, vetëm pak ditë më vonë, udhëtimi i tij përfundoi tragjikisht.

Nga një i ri i integruar në Nicë, në viktimë të një përleshjeje në Ksamil

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet shqiptare, konflikti ndodhi në orët e para të 18 gushtit në ambientet e kompleksit “Principotes” dhe më pas vijoi jashtë. Sokrat Vata, 29 vjeç, është i dyshuari kryesor për vrasjen dhe u arrestua disa orë më vonë në zonën e Levanit, i fshehur në bagazhin e një automjeti.

Hetimi është zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë të pranishëm në kompleks. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, në dosje janë përfshirë punonjës të lokalit, persona të sigurisë dhe individë të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në konflikt ose kanë ndihmuar pas ngjarjes.

Ndërkohë, mediat kanë publikuar versione të ndryshme mbi mënyrën se si nisi përplasja, ndërsa dinamika e plotë mbetet objekt i hetimit.

Familja përballet me një tjetër tragjedi

Dhimbja e familjes së Mendes është bërë edhe më e rëndë nga problemet që ajo po përjetonte para vrasjes së të riut. Sipas Nice-Matin, apartamenti i familjes ishte shkatërruar së fundmi nga një zjarr dhe prindërit e 20-vjeçarit ishin strehuar përkohësisht në një hotel në lagjen Saint-Charles.

Tashmë familja duhet të përballojë edhe procedurat për riatdhesimin e trupit të Mendes në Portugali, si dhe kostot e përfaqësimit ligjor në Shqipëri.

Për këtë arsye është hapur një fushatë mbledhjeje fondesh në bashkëpunim me familjen. Deri të premten, sipas medias franceze, ishin mbledhur më shumë se 6,300 euro.

Nicë mobilizohet pas vdekjes së “Miltonit”

Pas lajmit për vdekjen, organizatat që e kishin mbështetur Mendes janë mobilizuar për të ndihmuar familjen dhe të rinjtë që ndodheshin me të në Shqipëri.

Edhe Metropole Nice Côte d’Azur ka aktivizuar ndërmjetësit e saj për qetësinë publike, ndërsa ekipet e parandalimit të specializuar kanë forcuar praninë në zonat ku jetonte komuniteti i të rinjve.

Shoqata Dix Étoiles, aktive pranë komunitetit të Kepit të Gjelbër në Nicë, është bashkuar gjithashtu me La Semeuse për të mbështetur familjarët.

Reagim edhe për kompleksin ku ndodhi ngjarja

Ndërkohë, një tjetër zhvillim i raportuar nga mediat lidhet me emrin “Principotes”. Kompania greke Principote Mykonos ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje biznesi me beach-barin në Ksamil dhe pretendon se emri i markës së saj është përdorur pa autorizim. Kompania ka thënë se ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë për këtë çështje.

Vrasja e Mendes ka marrë kështu një jehonë përtej Shqipërisë, ndërsa në Nicë ai kujtohet jo thjesht si një turist që humbi jetën gjatë pushimeve, por si “Miltoni”, një i ri që kishte ndërtuar jetën dhe marrëdhëniet e tij në komunitetin francez dhe që kishte ende plane për udhëtime, punë dhe të ardhmen.