AKTUALITET, 29 Dhjetor 2017, 19:45

Publikohen pamjet e grabitjes së bankës në Laç, autorët ikin me paratë

Publikohen pamjet e grabitjes së bankës në Laç,

Një bankë e nivelit të dytë në qytetin e Laçit është grabitur nga persona të maskuar dhe të armatosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të së premtes, në qendër të qytetit 100 metra larg komisariatit të policisë.

Mësohet se grabitësit të cilët kanë qenë më shumë se dy persona kanë kërcënuar rojën e bankës dhe më pas kanë thyer xhamin dhe kanë hyre brenda. Ata kanë marrë një sasi parash, të cilat ishin në përpunim nga punonjësit e bankës dhe janë larguar me një automjet.

Policia ka vonuar pak minuta për të shkuar në vendin e ngjarjes, pasi i gjithë komisariati i policisë ishte në dreken festive të fundvitit në një lokal në Mamurras. Siç duket autoret kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe kanë vepruar pa u shqetësuar.

Në lidhje me ngjarjen policia bën të ditur se kanë nisur hetimet, ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli për kapjen e autorëve. Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë së bankës, ku ndodhi grabitja dhe po merren në pyetje punonjësit e bankës në fjalë. Ende nuk dihet shumë e parave të grabitura, por sipas të dhënave mësohet se është një sasi e konsiderueshme.

Shqiptarja.com