AKTUALITET, 25 September 2026, 22:37

“Pse Vlora Hysenin s’e mbani në burg?”/ Zbardhen debatet në gjyq të “shokëve” të Ergys Agasit

Sot u mbajt seanca me dyer të mbyllura për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Fatjon Kalluçit, shefit të Laboratorit të Policisë Shkencore, dhe Embro Sulejmanit, kryekamarierit të një lokali pranë vilave qeveritare në Durrës, që frekuentohej rregullisht nga i shumëkërkuari i drejtësisë, Ergys Agasi.

Kryekamarieri Sulejmani ka pranuar se ka njohje me Ergys Agasin, por, sipas tij, nuk beson se ka kryer vepër penale.

“Ergys Agasin e njoh prej shumë vitesh, ka qenë klient i rregullt i lokalit ku punoj si kryekamarier. Jemi nga e njëjta zonë dhe kjo njohje ka qenë vite më parë se u shpall në kërkim.

Kam pasur kontakte që lidhen me punën. Vinte, rezervonte tavolinën dhe kërkonte që t’i shërbeja unë, siç ndodh kudo. Nuk mendoj se kam kryer ndonjë krim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani.

Mbrojtja e Sulejmanit ka ngritur pretendimin se masa shtrënguese e arrestit në shtëpi është e papërshtatshme. Mes argumenteve, ajo ka theksuar se një kamarier mund t’u shërbejë shumë personave që kanë probleme me drejtësinë, por kjo nuk përbën shkak për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.

Një tjetër argument i deklaruar nga mbrojtja ishte fakti se “është e paarsyeshme që drejtoresha e SHISH-it, që akuzohet për dy vepra penale, njëra prej tyre e njëjtë me Sulejmanin, qëndron në masë më të butë, ndërsa kamarieri i një lokali që ka shërbyer supë dhe ushqim, në burg”.

Ndërsa Fatjon Kalluçi nuk ka dhënë shpjegime, por i ka dhënë tagra avokatit të tij, i cili kërkoi një masë më të butë sigurie.

Mësohet se gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë të enjten për kryeagjenten, prokurorët i kanë përmendur sulmin që ajo bëri ndaj gazetarëve në hyrje të gjykatës, ku i kujtuan se deklarata të tilla përbëjnë veprime të ngjashme me ato për të cilat është e dyshuar zyrtarisht.