TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Elbasan “Foltoren e Riprotritjes” së PD-së, ku ka folur për situatën ekonomike dhe sociale në vend, duke akuzuar qeverinë për vjedhje, lidhje me krimin e organizuar dhe largimin e qytetarëve nga Shqipëria.
Berisha deklaroi se vendi ndodhet në një moment të veçantë të historisë dhe se regjimi aktual po përballet me një proces “shpërbërjeje të turpshme”.
“Jemi në momentet më të veçanta në historinë tonë kombëtare. Jemi në momentet e shpërbërjes së turpshme të një regjimi i cili qeverisi këtë vend i bazuar në vjedhjen e qytetarëve, krimin e organizuar, përzënien e tyre nga vendi”, tha Berisha.
Ai vuri theksin te gjendja ekonomike e pensionistëve, duke pretenduar se mijëra prej tyre nuk kanë mundësi të përballojnë nevojat bazë.
“Sot pensionistët nuk blejnë dot ilaçet. Mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme, me pensione me të cilat nuk marrin dot as dy javë ushqime pa ndihmën e familjarëve”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha foli gjithashtu për kostot e rritjes së një fëmije dhe për çmimet e banesave, duke lidhur këto faktorë me rënien e lindshmërisë.
“Për të rritur një foshnje në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës, ndaj kemi rënie të lindshmërisë, qeratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Janë bërë mollë të ndaluara apartamentet për qytetarët”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, vështirësitë ekonomike dhe kostot e larta të jetesës po rëndojnë veçanërisht mbi pensionistët dhe të rinjtë, duke shpopulluar vendin.