AKTUALITET, 25 September 2026, 22:18

“Pa zë në OKB” - Reagojnë mediat në Kosovë pas fjalimit të Ramës: Asnjë fjalë për UÇK-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e përmendi Kosovën, UÇK-në apo Gjykatën Speciale të Hagës në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Fjalimi i Ramës u përqendrua kryesisht te inteligjenca artificiale, zhvillimi i saj, rreziqet që paraqet dhe nevoja për krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë që do të garantojnë përdorimin e saj në mënyrë të përgjegjshme dhe demokratike. Ai foli gjithashtu për “ministren Diella” dhe atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove”.

Mungesa e një reference për Kosovën apo ish-krerët e UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u vu në dukje nga disa prej mediave kryesore në Prishtinë.

Para fjalimit, Klan Kosova kishte ngritur pyetjen nëse Rama do të fliste për UÇK-në. Në titullin e publikuar para fjalimit shkruhej: “Rama mban sot fjalim në AP të OKB-së: A do të flasë për UÇK-në?” 

Edhe Telegrafi kishte raportuar se në Prishtinë pritej me interes nëse në fjalën e kryeministrit shqiptar do të përfshihej çështja e ish-krerëve të UÇK-së. 

Pas fjalimit, Koha.net e pasqyroi këtë fakt me titullin: “Kosova pa zë në OKB, Rama flet për inteligjencën artificiale”. Në shkrim theksohej se Kosova nuk ishte përmendur në fjalimin e kryeministrit shqiptar dhe se Rama kishte folur për inteligjencën artificiale dhe nevojën për marrëveshje ndërkombëtare për një AI “sovrane dhe demokratike”.

Në të njëjtën linjë, KosovaPress raportoi se “Edi Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, duke vënë në dukje se fjalimi i tij u përqendrua te inteligjenca artificiale dhe “ministrja Diella”.

Edhe Bota Sot e vuri theksin te fakti se Rama nuk foli në OKB për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke rikujtuar se në një deklarim të mëhershëm kryeministri shqiptar e kishte kritikuar vendimin ndaj tyre.

Reagimet e mediave kosovare vijnë në një kohë kur çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë mbetet një prej temave të ndjeshme në Kosovë.