AKTUALITET, 25 September 2026, 21:09

Shqipëri-Greqi/ Marrëveshje për kufijtë dhe doganat, shkëmbim elektronik të dhënash dhe Green Lanes

Shqipëria dhe Greqia synojnë të forcojnë bashkëpunimin doganor përmes menaxhimit të përbashkët të kufirit, shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe lehtësimit të tregtisë dhe lëvizjes mes dy vendeve.

Në Tiranë u zhvillua Takimi i 14-të Bilateral i Nivelit të Lartë mes administratave doganore të Shqipërisë dhe Greqisë, ku drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti homologun grek, Dimitrios Bourikos.

Në fokus të takimit ishin menaxhimi i përbashkët i kufirit, lehtësimi i procedurave tregtare, funksionalizimi i Green Lanes dhe SEED+, digjitalizimi dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave, si dhe forcimi i bashkëpunimit kundër kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme.

Një nga zhvillimet konkrete të diskutuara ishte shkëmbimi elektronik i të dhënave në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, faza e zbatimit nga pala shqiptare ka përfunduar dhe të dhënat po transmetohen drejt administratës doganore greke.

Ky bashkëpunim synohet të shtrihet gradualisht edhe në pikat e tjera kufitare, me qëllim përmirësimin e analizës së riskut, përshpejtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve doganore.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për monitorimin e flukseve dhe orareve në pikat e përbashkëta kufitare, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave doganore të dy vendeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit Sarandë-Korfuz.

Në kuadër të procesit të integrimit europian, administratat doganore shkëmbyen eksperienca lidhur me sistemet digjitale doganore të Bashkimit Europian, ndërveprueshmërinë dhe menaxhimin e riskut.

Palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit teknik, trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizës.

Takimi u përmbyll me dakordësimin për hapa të mëtejshëm drejt funksionalizimit të plotë të Green Lanes, zgjerimit të shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimit të bashkëpunimit operacional mes administratave doganore të Shqipërisë dhe Greqisë.