AKTUALITET, 9 Janar 2019, 16:49

Pse PD po i shtyn njerëzit drejt shtëpisë “400 milionëshe” të Ramës në Surrel

Një grup protestuesish të Unazës së Rre e ndryshuan të martën në mbrëmje trajektoren e protestës së tyre duke marshuar drejt shtëpisë private të Ramës në Surrel. Nuk është ndonjë çudi, as ndonjë sekret, që ata ishin të frymëzuar dhe të prirë nga Partia Demokratike.

Që kur një student në Vlorë e pyeti kryeministrin se ku i kishte gjetur paratë për të ndërtuar shtëpinë e Surrelit, ky bunker, monument korrupsioni sipas opozitës, është shndërruar në targetin kryesor të saj. Vetë Sali Berisha nxori bllof gënjeshtrën e Ramës se shtëpinë e kishte ndërtuar me paratë e emigracionit. Ai lexoi i pari në parlament të gjitha deklaratat e pasurisë të kryeministrit që nuk e justifikonin ndërtimin e bunkerit pranë Dajtit. Më pas ai botoi edhe një video në Facebook ku shihej qartë ndryshimi i alibive të Ramës nga Vlora deri tek Xing me Ermalin, për justifikimin e parave të shtëpisë së Surrelit.

Nuk ka ndonjë çudi që, vetë Rama, i gjendur në hall nga këto akuza, e organizoi emisionin humoristik në Klan vetëm për të fashitur zërat rreth shtëpisë së tij që ai e konsideronte të vogël dhe të thjeshtë.

Kjo i ka dhënë edhe më shumë krah PD, e cila me sa duket ka kuptuar se këtu gjendet thembra e Akilit e kundërshtarit të saj.

Fillimisht PD publikoi formularin e pasurisë së kryeministrit ku ai ishte 50% pronar i vilës që kushton 400 milionë lekë të vjetra (shiko poshtë). Ajo ironizoi duke deklaruar se Rama po e përdor gruan si mamanë e Erion Veliajt për të thënë se pasurinë e ka prej saj.

Lexo më tej:

PD nxjerr deklaratat e pasurisë së Ramës: Nuk justifikon 400 milionë lekët e vilës në Surrel

(FOTO) PD: Sa kushton shtëpia e Edi Ramës në Surrel

Ndërsa sot deputetja Oriola Pampuri, megjithëse tha se sipas ekspertëve të ndërtimit vila e Surreli kushton 2 milionë euro, Edi Rama dhe bashkëshortja e tij nuk i justifikojnë dot as tre të katërtat e 400 milionëshit të deklaruar. “Ata kanë 300 milionë të pa justifikuara dhe një gjë e tillë të çon në burg”, tha Pampuri.

Po pyetja bëhet pse PD po këmbëngul shumë në këtë pikë, kur ajo mund të kërkonte burg për Ramën për çështje shumë më skandaloze se kjo? Pse opozita është përqëndruar tek ato që i quan si sarajet e Surrelit?

Pse ajo i shtyu protestuesit të niseshin me pishtarë në dorë drejt rrugës së Dajtit?

Ndoshta tek kjo pyetje e fundit duhet këkruar përgjigjja.

Natyrisht në çdo vend demokratik, manifestuesit e pakënaqur demonstrojnë përpara institucioneve. Në varësi të shkallës së zemërimit të tyre ata e bëjnë këtë paqësisht ose në mënyrë të dhunshme. Shqipëria e ka kaluar këtë cak. Një sërë veprimesh, por së fundi dhe mbushja e qeverisë me anonimë dhe çiliminj, po dëshmon se vendi po rrëshket drejt një pushteti personal. Ku administrata është gjunjëzuar, ku partia në pushtet është tredhur, ku ministra që shkelen si lecka nuk guxojnë të hapin gojën.

Dhe në vendet ku pushteti personalizohet, institucionet kthehen në lodra. Nuk ka pikë kuptimi të demonstrohet para tyre. Në ditët e nxehta të shkurtit ’91, turmat e revoltuara nuk u nisën drejt kryeministrisë apo Komitetit Qëndror, por drejt vilave të bllokut. Edhe në Rumaninë e Çausheskut ata shkuan të plaçkisin pallatin e tij. Edhe më vonë, revolucioni ukrahinas ia mësyu kështjellës së Ianukoviçit apo ai tunuizian, pallateve të Ben Aliut.

Pikërisht këtë imazh po kërkon të japë edhe PD, që po i ysht njerëzit drejt shtëpisë private të Surrelit./ Lapsi.al