AKTUALITET, 9 Shkurt 2018, 13:56

Protesta e artistëve, Kumbaro: Duhet të takohem me Robert Ndrenikën

Protesta e artistëve, Kumbaro: Duhet të takohem me Robert

Një ditë pas protestës së artistëve për ligjin e miratuar për Artin dhe Kulturën, ku do preket Teatri Kombëtar, ka ardhur reagimi i ministres së Kulturës Mirela Kumbaro.

Nga Korça, Kumbaro ka theksuar se do të takohet me artistët për të diskutuar mbi pakënaqësitë e tyre për ligjin në fjalë, si dhe për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët.

“Patjetër që do ti takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore, por edhe vendore siç është teatri i Korçës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike. Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës.Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore.”

E pyetur për reagimin e aktorit Robert Ndrenika ajo u përgjigj: “Duhet të flas me të.”