AKTUALITET, 9 Shkurt 2018, 10:32

Leja për hidrocentralet në Osum, Rama: Kërkoj ndjesë, nuk jemi të pagabueshëm

Leja për hidrocentralet në Osum, Rama: Kërkoj ndjesë, nuk

Një ditë pasi u publikua një leje e miratuar nga qeveria për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Osum, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai kërkon ndjesë qytetarëve për gabimin dhe thotë se përgjegjësit e kësaj leje të cilën ai e quan të manipuluar do të ndiqen penalisht.

Postimi

KANIONET E SKRAPARIT NUK PREKEN. Qyshse u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anullohet.

Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë.

Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar.

Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut./TPZ.AL