AKTUALITET, 6 Shtator 2019, 17:32

Policia ra në gjurmët e tyre por ata u arratisën, zbulohet ku qëndruan vëllezërit Kusi pasi vranë teknikun e kondicionerit

Policia ra në gjurmët e tyre por ata u arratisën, zbulohet ku

Në këtë vilë dyshohet se kanë qëndruar dy ditë të fshehur pas vrasjes së teknikut të kondicionerit Indrit Çelaj, vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi.

Banesa dykatëshe është e veçuar nga shtëpitë e tjera të fshatit Allgjatë dhe ndodhet pranë Kasharit në periferi Tiranës. Ajo është në pronësi të xhaxhait të vëllezerve Kusi, Lulzim Kusi.

Ky i fundit u shpall në kërkim nga uniformat blu, pasi në bodrumin e banesës së tij u gjet një armë zjarri tip kallashnikov model 56. ABC News kishte publikuar më herët që, autorët e dyshuar Albano dhe Griseldo Kusi, ishin lokalizuar nga grupi hetimor nëpërmjet qelizave telefonike se fshiheshin tek të afërmit e tyre në fshatin Allgjatë.

Por pas aksionit “blic” të 25 gushtit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ata kishin mundur të largoheshin para se të mbërrinin aty uniformat blu.

Për këtë arsye po verifikohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Ministrinë e Brendshme për rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat drejtuese policore.

Burime konfidenciale pohuan se, kërkimet policore u shtrinë edhe në qytetin e Korçës, pasi Griseldo dhe Albano Kusi fshiheshin në tentativë për t’u larguar jashtë vendit nëpërmjet kufirit të gjelbër. Për ketë shkak autoritetet Shqiptare i kanë shpallur vëllezërit Kusi në kërkim ndërkombëtar.

Për vrasjen e Indrit Çelaj, i cili u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke montuar një kondicioneri në banesën e familjes Kusi, gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Bujar Kusi, Ali Sula dhe Ferdinand Bakallin do të qendrojnë në burg, deri në përfundim të hetimeve, ndërsa për punëtorin Luan Çaka u caktua masa “arrest shtëpie”.

Ndërkohë dy vëllezërit Kusi janë ende në kërkim nga Policia e Shtetit.