AKTUALITET, 1 Korrik 2019, 11:15

Plas gallata / Bashkitë ku ka më shumë vota në kuti sesa votues


Efekti Dako- Avdylaj i cili shkaktoi një “tërmet” të vërtetë në 2017, këtë herë po përsëritet në formë komike.

Në disa Bashki të vendit manipulimi i votimeve të organizuara, votuara, kontrolluara dhe numëruara nga një parti e vetme po shpërfaqet qartazi. Deri më tani anomalitë qesharake janë vërejtur në Urën Vajgurore, në Malësinë e madhe dhe Divjakës.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare në Bashkinë e Urës Vajgurore, është evidentuar një mospajtim mes treguesve të pjesëmarrësve në votim dhe të totalit të votave.

Kandidatja e Partisë Socialiste, Juliana Mema (në foto në mes me Ramën), që garoi për të fituar një mandat të dytë si kryebashkiake.

U shpall fituese me 7,666 vota, ndërkohë që numri i votuesve i bërë i ditur nga organi zgjedhor mbrëmjen e djeshme pas mbylljes së votimit, ishte 5900 (Tabela e parë poshtë).

Më poshtë tabelat e KQZ-së për pjesëmarrjen në votim dhe për rezultatet përfundimtare:

E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe në Divjakë. Në këtë bashki, sipas të dhënave zyrtare nga KQZ-ja kanë votuar 13000 qytetarë.

Por pas përfundimit të numërimit të votave në Divjakë, kandidati i Edi Ramës, Fredi Kokoneshi (foto majtas) ka fituar me 13513 vota.

Thënë ndryshe në kutitë e votimit të Divjakës janë 513 vota më shumë se votues.

Pra plot 513 vota më shumë.

Pas nuk ka mbetur as Malësia e Madhe. Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së në këtë bashki në 30 qershor kanë votuar 7600 qytetarë.

Por pas numërimit të kutive kanë rezultuar se brenda ishin 8265 vota.

Në Malësinë e Madhe ka fituar kandidati i Ramës Tonin Marinaj (foto djathtas) me 7772 vota ose thënë ndryshe 122 vota më shumë se votues.

Duke llogaritur këtu edhe 493 vota që ka marrë Pjerin Spathari i Bindjes Demokratike dalin rreth 610 vota të futura në kuti më shumë se njerëz që janë paraqitur në votime.