AKTUALITET, 8 Mars 2018, 11:50

Përmbytjet, deputetët e Shkodrës, thirrje prefektit Millja: Mblidhni Emergjencën Civile

Deputetët e qarkut të Shkodrës dhe anëtarët e Këshillit të Bashkisë së Shkodrës i kanë drejtuar sot një kërkesë publikisht, Prefektit të qarkut Çesk Millja lidhur me situatën e rëndë të përmbytjeve në këtë qark.

Në kërkesën e tyre për mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut Shkodër, ata shkruajnë:

"I nderuar z. Prefekt,

Ne, të zgjedhur të Bashkisë dhe Qarkut të Shkodrës, të shqetësuar maksimalisht nga situata e përmbytjeve që vazhdon prej disa ditësh, ju drejtohemi me një kërkesë legjitime në emrin tonë dhe të mijëra shkodranëve që përfaqësojmë, duke kerkuar:

Mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile te Qarkut Shkodër, për t’u njohur zyrtarisht me situatën sipas informacioneve që ju dispononi.

Në këtë mbledhje kërkojmë të jemi prezent ne, anëtarë të këshillit të Bashkisë së Shkodrës dhe deputetë të Qarkut.

Kërkojmë nga ana juaj, për sa më sipër, te thirrni mbledhjen e KECQ urgjentisht, brenda mesditës sw datës 08 mars 2018.

Si të zgjedhur të banorëve të Bashkisë dhe Qarkut Shkodër e konsiderojmë jetike organizimin e mbledhjes së kërkuar, për të kontribuar në marrjen e përgjegjësive dhe përballimin e situatës shumë të rëndë të krijuar."