TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shkodra sërish në ujë. Harta e përmbytjeve në njësinë administrative Ana e Malit dhe Dajç të Bashkisë Shkodër është zgjeruar. Mësohet se në Anën e Malit janë 1 mijë ha tokë të përmbytura, ndërsa në njësinë Dajç rreth 100 ha tokë. Si pasojë e vërshimit të ujërave, është krijuar situatë problematike dhe në njësi të tjera administrative si Bushat, Bërdicë, Velipojë dhe Guri Zi. Por, situata paraqitet më problematike në zonën Ana e Malit dhe konkretisht në fshatrat Obot e Muriqan. Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes dje bënë me dije se në këto dy fshatra kanë mbetur të izoluar 35 fermerë. Po të njëjtat burime pohuan se në Obot rreth 60% e banesave kanë prezencë uji në oborret e tyre. Nisur nga situata e krijuar gjatë dy ditëve të fundit nga përmbytjet, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i ka kërkuar zyrtarisht prefektit të qarkut që të shpallë gjendjen e emergjencës në një pjesë të territorit.
Bashkia e kryeqendrës së veriut të vendit ka deklaruar se përmbytjet janë shkaktuar nga shkarkimet e pakontrolluara dhe për një kohë të gjatë nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin. Ndërkohë, prefekti Çesk Millja është kundër kryebashkiakes Voltana Ademi për shpalljen e emergjencës në njësinë Ana e Malit dhe Dajç. Sipas tij, nuk ka përkeqësim të situatës, ndërsa shkarkimet nga hidrocentrali i Vau i Dejës janë 1300 metër kub në sekondë. Në hidrocentralin e Vau Dejës ishte dje ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili tha se situata po mbahet nën kontroll dhe se nuk do të ketë përmbytje si në vitin 2010. Sipas ministrit, hidrocentrali i Fierzës është në kuotat maksimale të lejuara. Ai mohoi akuzat e kryebashkiakes Ademi se pushteti vendor nuk është informuar mbi sasinë reale të shkarkimeve dhe përmbytjet në zonën e Nënshkodrës kanë ndodhur pikërisht për shkak të shkarkimeve të Vaut të Dejës. Njësinë administrative Ana e Malit e vizitoi dje edhe zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila ishte në një linjë me ministrin Gjiknuri.
PËRMBYJET
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë dje informacion për situatën e reshjeve dhe të përmbytjeve në qarqet kryesore të vendit. Sipas burimeve nga kjo ministri, në fshatin Obot rreth 60% e banesave kanë prezencën e ujit në oborret e tyre, ndërsa mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, e kalueshme vetëm për mjetet e larta.
Niveli i përmbytjes në Njësinë Administrative Ana Malit është rreth 500-600 ha tokë. Referuar Ministrisë së Mbrojtjes, janë të izoluar 35 fermerë me fermat e tyre blegtorale, ku përfshihen rreth 100 krerë gjedh, 100 krerë derra dhe 300 të imta në fshatrat Obot dhe Muriqan të Njësisë Administrative Ana Malit. “Forcat e Armatosura që nga ora 06:30 datë 07.03.2018 kanë angazhuar në fshatin Obot 20 trupa, 3 varka dhe 3 mjete të rënda, të cilët po vijojnë evakuimin e banorëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë në fjalë.
BANORËT
Përmbytjet e shkaktuara në disa fshatra të zonës Ana e Malit, Bërdicë, Velipojë dhe Bushat kanë shkaktuar panik tek banorët. Ata vazhdojnë të akuzojnë KESH-in për mosmenaxhim të prurjeve. “Përmbytjet na kanë shkaktuar dëme të mëdha në të mbjella dhe askush nuk do t’ia dijë për ne. Përmbytjet janë shkaktuar nga hapja e portave të hidrocentraleve dhe jo nga reshjet e shiut dhe jo nga mosfunksionimi i kanaleve. Ne duam dëmshpërblim. Qeveria duhet të marrë masa urgjente, pasi uji po u afrohet banesave tona”, thanë banorët e zonave të përmbytura në qarkun e Shkodrës.