AKTUALITET, 5 Qershor 2019, 17:07

Përgjimet e Bild/ Arta Marku si Ulsi Manja: Të hetohen me shpejtësi ata që nxorrën sekretin hetimor

Përgjimet e Bild/ Arta Marku si Ulsi Manja: Të hetohen me

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ka reaguar në lidhje me publikimin e përgjimeve të dosjes “339/1” nga media gjemrane “Bild”. Në një reagim plot me indinjatë Marku, shprehet se në prokurori ka ende njerëz që bëjnë pazare me dosjet për interesa të ngushta dhe vetjake.

Ajo shton se po e ndjek me shumë vëmendje këtë çështje dhe do të nisë një hetim për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë shkelur ligjin, të gjithë personat e përfshirë në nxjerrjen e përgjimeve.

“Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe çdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda“, shton Marku.

REAGIMI I PLOTË

Duke marrë shkas nga publikimi i disa materialeve të përgjimit në gazetën gjermane Bild, Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se po ndjek cështjen me shumë vëmendje dhe ashtu sic ka kërkuar edhe më përpara, kërkon dhe u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim cështjet 339 dhe 184, si autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto cështje, që të hetojnë dhe të zgjidhin pa humbur kohë këto çështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale. Ky është jo vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe një detyrim publik për të bërë të qartë cfarë ka ndodhur me këto cështje dhe cfarë kanë ato në përmbajtje.

Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe çdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave aktuale njofton opinionin publik se ka miratuar udhëzimin nr.4, dt.26.10.2018 “Për përgjimet” ku përcaktohen në detaje rregullat për ruajtjen e sekretit të përgjimit. Nxjerrja e sekretit ka ardhur jo si pasojë e mungesës së ligjeve apo akteve nënligjore dhe administrative, por për arsye të tjera larg çdo norme ligjore apo morale.

Ditën e sotme, gazeta gjermane “Bild” ka publikuar audiopërgjime të reja lidhur me “Dosjen 339”, një nga çështjet, hetimi i të cilës bëri që PD ta ketë si çështje kryesore në betejën për rrëzimin e qeverisë.Në përgjime dëgjohet Astrit Abdylaj, i cili përfshihet vetë në fushatën elektorale të PS. Avdyli kërkon që miku i tij, Elton Arbana të jetë pjesë e listës së deputetëve në Durrës, dhe vë në dukje mbështetjen që familja Avdyli ka për deputetin Ilir Ndraxhi. Në bisedat e publikuara Astrit Avdyli zotohet se rezultati i Partisë Socialiste në Durrës do të jetë spektakolar.