AKTUALITET, 21 Shkurt 2018, 19:01

Përgjaken rrugët, numri i aksidenteve rritet me 12.6% në janar

Aksidentet e rënda automobilistike të ditëve të fundit janë në vazhdim të shumë ngjarjeve të tilla, të ndodhura që prej fillimit të këtij viti. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat për janarin 2018, ku numërohen 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u rritur me 12.6 %.

Në janar 2018, numri i të aksidentuarve rezulton 175 persona, nga 158 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 10.8 %. Krahasuar me numrin mesatar të aksidentuarve gjatë vitit 2017, ky numër është ulur me 19.6 %. Numri i të plagosurve gjatë muajit janar të këtij viti është 162 persona, nga 136 të plagosur në janar të vitit të kaluar. INSTAT konstaton se numri i të vdekurve nga aksidentet në këtë periudhë është 13 persona, nga 22 që ishte në janarin e një viti më pare. Përsa i përket vdekjeve, numri është ulur me 40.9 %.

Në raportin e Institutit të Statistikave vlerësohet se në Janar 2018, aksidentet rrugore në 74.6 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 45 – 60 vjeç, duke zënë 24.6 % të numrit të aksidenteve rrugore, duke u rritur me 50%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Rasti më i fundit ishte tragjedia në Velipojë ku humbën jetën tre fëmijë dhe babai i tyre.