AKTUALITET, 4 Gusht 2018, 15:51

PD denoncon skemën: Si e shpëtoi Edi Rama nga vettingu gjyqtaren Brikena Ukperaj

PD denoncon skemën: Si e shpëtoi Edi Rama nga vettingu gjyqtaren

Partia Demokratike shprehu edhe njëherë shqetësimin për procesin e vettingut duke akuzuar se me diktimin e Edi Ramës, po mban në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

Këtë herë denoncoi rastin e Brikena Ukperaj, gjyqtarja e Apelit në Vlorë. Sipas Ina Zhupës, zëdhënëse e PD-së, ky është një nga rastet kur vettingu ka vepruar me dy standarde, duke ligjëruar pasuri të pajustifikuara të gjyqtares.

“Mosjustifikimi dhe mungesa e një hetimi të thelluar nga organet e vettingut për një shtëpi në emër të bashkëshortit;Problemet për blerjen e një automjeti, për të cilin organet e vettingut nuk hetuan me vëmendje, si dhe Mosverifikimi i plotë i ankimit të familjes Bodo kundër vendimit të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun, që favorizoi deputetin socialist Fidel Ylli. Këto janë tre pikat e errëta të vendimit të organeve të vettingut, që po mban në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të korruptuar”, tha Ina Zhupa.

Sipas PD arsyeja përse Brikena Ukperaj ka kaluar shkallën e parë të vettingut, shpjegohet me skemën e Edi Ramës për të kontrolluar Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Brikena Ukperaj është person kyç në skemën e Edi Ramës, dhe po nxitet prej tij të aplikojë për ta zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Me shumë gjasë, gjyqtarja e Apelit të Vlorës, me pasuri të pajustifkuar, por e konfirmuar në detyrë, do të mbetet e vetmja kandidate potenciale për në KLGj, duke qenë kështu një kamikaze në këtë Këshill dhe zbatuese e qartë e skemës së Edi Ramës për të kapur sistemin gjyqësorë, vëcanërisht Gjykatën Antikorrupsion. Me një gjyqtare lehtësisht të shantazhueshme për pasuritë e pajustifikuara dhe vendimet e dyshimta, Edi Rama e ka më të lehtë kapjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor akoma pa u ngritur, duke e shndërruar reformën në drejtësi në një farsë politike dhe duke shuar shpresat e shqiptarëve për një drejtësi që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.“, u shpreh  Zhupa.