AKTUALITET, 10 Maj 2018, 14:38

Patozi, në sulm kundër PD e LSI: Do të shkërmoqeni njëlloj si drejtësia

Patozi, në sulm kundër PD e LSI: Do të shkërmoqeni

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka vendosur të dalë kundër të gjithëve, por veçanërisht sulmin e tij të sotëm ai e ka drejtuar ndaj PD-së e LSI-së.

Sipas tij, këto dy parti do të shkërmoqen njësoj si drejtësia në vend.

Ja çfarë shkruan Astrit Patozi:

PËR ATA QË PO PËRPIQEN TË NDALIN TËRMETIN

Tri ngrehina të kalbura të sistemit tonë politik po shkërmoqen dita- ditës dhe fare qartazi përpara syve tanë.

Ato janë drejtësia, partia e Lulit dhe LSI-ja.

"Rilindja", po aq e molepsur, po përpiqet me shpirt ndër dhëmbë të mbahet pas "tepsisë" së pushtetit për të fshehur më kot faktin e njohur botërisht se po kalon të njëjtën krizë.

Por e ka të pamundur, sepse procesi i dekompozimit është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Në këtë reaksion zinxhir të rënies është njësoj si të përpiqesh të ndalësh tërmetin, pas paralajmërimit të shërbimit sizmiologjik.

Ndaj e vetmja shpresë për Shqipërinë është një politikë e re, e cila nuk ka asnjë lidhje me gërmadhat e sistemit, që po rrëzohet, herë pa zhurmë, e herë me rënkime.