AKTUALITET, 1 Shtator 2018, 21:48

Partizani mjaftohet me pak, Kastrioti kujtohet vonë

Partizani mjaftohet me pak, Kastrioti kujtohet vonë

Partizanit i mjafton Jasir Asani, për të koleksionuar fitoren e dytë për këtë edicion. Të besuarit e Skënder Gegës ishin dominues ndaj miqve krutan, që bënë shumë pak për të dalë me pikë nga “Selman Stërmasi”. Në një stadium të boshatisur, skuadra e Partizani gjeti golin e avantazhit dhe të vetmin e sfidës në minutën e 13-të.

Esat Mala bëri gjithçka mirë nga krahu i majtë, ndonëse tentativa e parë për të shërbyer u ndal nga mbrojtja mike, nuk ndodhi kështu në vazhdimin e aksionit, me topin që përfundoi tek mesfushori Asani, i cili me portën e boshatisur nuk e pati të vështirë që të shënonte. Pak minuta më vonë ishte sërish Mala që kishte një mundësi për të shënuar, por e majta e tij nuk përfundoi në portën mike.

Gojkoviç për pak sa nuk prishi gjithçka me një top të kthyer pas në mënyrë të gabuar, por Rahim nuk u tregua i saktë edhe pse kishte të gjithë kohën që i duhej për të goditur. Në fraksionin e dytë skuadrat për minuta të tëra e zhvilluan ndeshjen në mesfushë, duke mos krijuar raste të rrezikshme për gol. Vetëm 5 minuta para fundit të kohës së rregullt ishte kapiteni Lila, i cili ju afrua golit të barazimit, pas harkimit nga një goditje këndi, por tentativa e tij shkoi pak mbi portën e Hoxhës. Edhe Atsina kishte një mundësi të mirë pak sekonda më vonë, por ndërhyrja e Gojkoviç ishte vendimtare.

Partizani me këtë fitore arrin në kuotën e 6 pikëve dhe pozicionohet menjëherë pas kryesuesve të Skënderbeut dhe Flamurtarit. Vjen suksesi i dytë radhazi për kryeqytetasit, që mjaftohen me pak ashtu si një javë më parë. Në anën tjetër Kastrioti pëson humbjen e dytë radhazi dhe ndodhet në vendin e gjashtë (provizorisht) me vetëm tri pikë.