AKTUALITET, 1 Shtator 2018, 20:24

Interi ia del pa Ikardin, Naingolan debuton me gol ndaj Bolonjës

Skuadra e Luçiano Spaletit ka gjetur fitoren e parë për këtë sezon të Seria A, duke mposhtur 3-0 Bolonjën jasht fushe. Zikaltrit edhe pse pa kapitenin Mauro Ikardi treguan se e meritojnë të respektohen nga çdo ekip, pavarësisht hapave fals në dy ndeshjet e para. Që në minutat e para të lojës, Interi diktoi rrjedhën e lojës. Vendasit u përpoqën të kapnin zikaltrit në kundërsulm, por në të vetmin rast që ishin të sukseshëm sulmuesi paraguaian, Federiko Santander, gaboi i vetëm përballë Handanoviç. Ai që zhbllokoi shifrat ishte belgu Raxha Naingolan, i cili gjeti golin e parë në debutim e tij me ngjyrat zikaltër në minutën e 66-të. Kandreva ishte një tjetër surprizë e këtij takimi. Italiani u fut si zëvendësues dhe i mjaftuan vetëm tre minuta për të gjetur golin e dytë në të 82'. Golin i tretë dhe i fundit u shënua nga Ivan Perisiç në minutën e 85-të.