AKTUALITET, 30 October 2026, 14:13

Reagimi/ Protestat, ambasadorja e BE: Dhuna nuk mund të jetë mënyra e shprehjes së pakënaqësive

Reagimi/ Protestat, ambasadorja e BE: Dhuna nuk mund të jetë

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa këtë të premte ka zhvilluar një vizitë në Elbasan, ku mori pjesë në takimin e katërt të Komitetit Konsultativ CoR-Shqipëri.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend, ambasadorja theksoi se dhuna nuk mund të jetë mënyra e shprehjes së pakënaqësive, ndërsa nënvizoi përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar dëgjimin dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve.

Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cilësoi shqetësuese protestat e dhunshme, duke bërë thirrje për dialog dhe protesta paqësore. Sipas tij, në një demokraci qytetarët kanë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, i cili dënoi dhunën, por u ndal edhe te çështje të tjera që lidhen me pushtetin vendor. Mazzeo theksoi se reforma territoriale duhet të mbështetet te funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale.