TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qeveria do të ndalojë dhënien e koncesioneve në vitin 2022, pasi rrezikohet që pagesat e buxhetit të tejkalojnë kufirin 5 për qind të parashikuar në ligj.
Projektbuxheti i vitit 2019 shpjegon se me mbylljen e paketës “1 miliard euro investime”, pagesat nga buxheti pritet të shkojnë sa 4,6 për qind e totalit të të ardhurave.
“Me dhënien e aprovimit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të projektit të fundit të ‘1 Miliard euro’ për ndërtimin e aksit rrugor Orikum – Dukat deri në vitin 2022 parashikohet që pagesat për PPP-të të kapin vlerën e 4.6 për qind të totalit të të ardhurave buxhetore që pritet të mblidhet në vitin 2021, nga 5 për qind që është limiti i lejuar ligjor.
Kësaj vlere mund t’i shtohen pagesat e paparashikuara në PPP-të ekzistuese dhe të reja, që kanë në qendër të tyre riskun e kërkesës si: rruga Milot-Morinë (rreth 400- 500 milionë lekë në vit), koncesionet në sektorin e shëndetësisë, koncesioni i aeroportit të Vlorës (4.5 milionë euro në vit për 7 vjet), koncesioni i ri i rrugës Kashar–Rrogozhinë, të cilat riskojnë shkeljen e këtij rregulli fiskal në 2022 e më tej”, thuhet në relacionin e buxhetit.
Nisur nga llogaritjet, Ministria e Financave propozon në draftin e buxhetit të vitit 2019 që për periudhën 2020-2030 të mos pranohet asnjë propozim i pakërkuar për koncesionet.
“Të mos lejohet asnjë propozim për partneritetet publike- private që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të tërthortë buxhetin e shtetit në periudhën 2020- 2030. PPP-të e reja të parashikuara me tarifa për përdoruesin, të minimizohet apo eliminohet risku i mosplotësimit të kërkesës në mënyrë që limiti ligjor prej 5 për qind të respektohet rigorozisht përgjatë gjithë kohës”, thuhet në relacionin e buxhetit.