AKTUALITET, 12 August 2026, 22:18

Nufi: 650 forca dhe 75 mjete në luftë me zjarret, situata më e vështirë në Krujë dhe Lurë

Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata paraqitet veçanërisht e vështirë në Krujë, në lagjen “Abaze”, si dhe në Grykë-Lurë. Era e fortë dhe terreni malor po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi se situata në Krujë është përkeqësuar pasditen e sotme, pas orës 14:00, ndërsa në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë.

“Ka qenë e qetë situata deri nga dreka, pas orës 14, në lagjen ‘Abaze’ ka pasur një agravim të situatës edhe pas erës. Kemi prezentë në terren efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë nga Forcat e Armatosura që po operojnë për shuarjen e zjarrit në Krujë”, tha Nufi.

“Era favorizon flakët në Krujë. Pas vlerësimit të situatës, nëse është e nevojshme do bëhet dhe evakuimi i banorëve, me qëllim që të mos kemi dëme në jetë njerëzish apo dëmtime banesash. Forcat tona janë në territor, terreni është malor dhe përhapja e zjarrit është shumë e lartë”, u shpreh ministri.

Nufi tha se problematike është edhe situata në Grykë-Lurë, ku zjarri ka prekur një zonë brenda Parkut Kombëtar, ndërsa vatra janë raportuar edhe në Fier dhe Mirditë.

“Kemi një situatë të vështirë në Grykë-Lurë, që është dhe Park Kombëtar. Edhe atje kemi forca. Kemi situatë të vështirë në Fier, në Mirditë me dy vatra zjarri”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, në përballimin e situatës janë angazhuar 650 forca dhe 75 mjete, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga ajri.

“Ky vit na gjen më të përgatitur se kurrë në menaxhimin e emergjencave civile, 5 helikopterë të FA në gjendje aktive, dy avionë Air Tractor. Janë 650 forca të angazhuara në terren dhe janë duke u përballur me zjarret, janë 75 mjete, 30 janë nga FA”, tha Nufi.

Ai e cilësoi situatën në Krujë si një nga më të rrezikshmet e katër viteve të fundit.

“Situata e Krujës ka qenë një prej situatave më të rrezikshme që kemi patur në 4 vitet e fundit. Situata monitorohet 24 orë në shtatë ditë. Çdo ditë ka një vlerësim risku”, deklaroi ministri.

Duke folur për zhvillimet e pritshme të motit, Nufi tha se ulja e temperaturave dhe reshjet lokale mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave.

“Në fund të javës mund të kemi ulje të temperaturave, mund të kemi dhe shira në zonat lokale, që mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave. Sa i përket dëmeve, vlerësimi do të bëhet në një moment të dytë, në përfundim të situatës së zjarreve. Fatmirësisht deri sot nuk kemi asnjë jetë të humbur”, tha ai.

Ministri u bëri apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke theksuar se dyshimet kryesore janë që një pjesë e konsiderueshme e vatrave të jenë shkaktuar nga dora e njeriut.

“Pjesa më e madhe e zjarreve që janë përhapur dhe janë shumëfishuar, kanë pikënisje situata njerëzore. Dyshimet kryesore janë se janë shkaktuar nga dora e njeriut. Ju bëj thirrje qytetarëve që evitojmë në maksimum ndezjen e zjarreve, një zjarr i vogël, sidomos në kushtet ku jemi sot, me këto temperatura të larta, shumëfishojnë zjarret dhe i kthejnë ato në një krizë kombëtare”, theksoi Nufi.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, operacionet vijojnë në disa fronte, me forcat tokësore dhe mjetet ajrore të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrave.