AKTUALITET, 12 August 2026, 18:39

IKMT identifikon një objekt pa leje në Karaburun

Inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë, kanë qenë gjatë ditës së sotme në terren në zonën e Shën Janit, në Karaburun, ku i kanë dorëzuar pronarit njoftimin për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje.

Sipas burimeve në terren, objekti është konstatuar si ndërtim i paligjshëm dhe më pas është bërë njoftimi zyrtar i pronarit të tij, për shembjen e objektit. 

Mësohet se ndërhyrja për prishjen e tij pritet të kryhet gjatë ditës së nesërme me mjetet e IKMT-së. Aksioni është pjesë e kontrolleve për evidentimin dhe largimin e ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura dhe bregdetare, me synim zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e territorit. Pak ditë më parë, një ndërtim pa leje në Himarë çoi në shkrirjen e IMT-së së bashkisë dhe pezullimin e gjithë zinxhirit drejtues të Policisë Himarë, që ishin në detyrë gjatë ndërtimit të godinës.