AKTUALITET, 12 August 2026, 18:19

Zjarret në Krujë, Marjana Koçeku: Ka më shumë shtysa për të djegur e shfrytëzuar territorin sesa për ta mbrojtur

Deputetja e Pavarur Marjana Koçeku, e cila pak kohë më parë u largua nga Partia Socialiste, ka reaguar sërish për situatën e zjarreve në vend, duke ngritur akuza dhe dyshime për mënyrën se si menaxhohen territoret e prekura nga flakët.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçeku ndalet te zona pas fabrikës së çimentos në Krujë, ku sipas saj ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Ajo pretendon se kjo zonë ka qenë ndër vatrat kryesore të zjarrit gjatë ditëve të fundit dhe se tre prej tyre vijojnë të jenë aktive.

“Jo rastësisht”, shkruan deputetja, duke ngritur dyshime se zjarret mund të lidhen me interesa për shfrytëzimin e mëtejshëm të territoreve. Sipas Koçekut, zjarret në Shqipëri në disa raste mund të kenë shërbyer si mjet për të krijuar hapësirë për zhvillime të mëvonshme, ndryshime ligjore apo ndërhyrje që në kushte normale do të ishin më të vështira për t'u realizuar. Ajo sjell si shembull rastin e Pishë-Poros, duke pretenduar se zjarri atje zgjati për 10 ditë pa ndërhyrje dhe shkaktoi dëme të mëdha.

Koçeku ngre gjithashtu shqetësimin për administrimin e tokave dhe pyjeve, duke argumentuar se mungesa e një linje të qartë përgjegjësie favorizon abuzimet dhe përfitimet ekonomike.

Në reagimin e saj, deputetja e lidh këtë problem edhe me reformat territoriale dhe synimet për bashkimin e disa bashkive të vogla. Sipas saj, dobësimi i kompetencave në nivel vendor shkëput komunitetet nga territori dhe zvogëlon përgjegjësinë e tyre për mbrojtjen e tij.

REAGIMI
Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht... Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.

Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.

Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.

Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja. Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme.